Ulja e rasteve me Covid- Brataj: Pritet tjeter lehtesim masash ne ditet ne vijim
Ulja e ndjeshme e rasteve me Covid, ka bërë që komiteti teknik të bëjë vlerësimin e situatës çdo javë.
Shefi i urgjencës Skënder Brataj thotë se mund të kemi përsëri lehtësim masash në ditët në vijim. “Mund të ketë lirim masash edhe në javët e ardhshme” tha ai. Dita e zgjedhjeve mund te shkaktoje grumbullime te shumta, e megjithatë nëse respektohen masat rreziku është minimal. Por ekspertet nuk e përjashtojnë një rritje të lehtë të infektimeve në fund të muajit prill. “Zbatimi i masave, që do të jenë në organizimin e qendrave të votimit nuk mendoj se do të rrisin rrezikun e rritjes së infeksioneve.
Ndoshta do të ketë një rritje në fund të muajit, fillim të majit për arsye të përhapjes së infeksioneve, fatin e mirë dhe të keq edhe të zgjedhjeve që po bëhen, ka shumë raste kur nuk po respektohen rregullat. Por nuk do të jetë në asnjë mënyrë si vala e parë dhe e dytë që kaluam”. Brataj thotë se për shkak të fushatës elektorale deri tani, në disa fshatra ku nuk ka pasur raste me covid, është rritur numri i infektimeve. Vaksinimi i popullatës dhe imuniteti natyral janë arsyet kryesore te uljes së rasteve me covid. Aktualisht Shqipëria renditet e para në rajon për numrin e vaksinimeve të kryera. Deri tani janë imunizuar nga vaksinat mbi 9% e popullësisë./Burimi: Abcnews.al