Secondary Adv

Tokat ne bregdet: Rregullat e privatizimit te trojeve te lira ose funksionale

Vendimi i Këshillit të Ministrave u jep mundësinë subjekteve me statusin e personit të stimuluar të privatizojnë sipërfaqet funksionale apo të lira të objekteve turistike në pronësi.

 

Vendimi, i cili është publikuar këtë javë në Fletoren Zyrtare, përcakton se procedura për miratimin e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi truallin funksional apo truallin e lirë fillon me kërkesë të personit të stimuluar apo të subjektit të interesuar, në platformën unike qeveritare e-Albania, por edhe nga vetë drejtoria vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, në rastin kur subjekti i interesuar ka të regjistruar në regjistrin kadastral, në pronësi të tij njësinë ndërtimore apo individuale por nuk ka paraqitur kërkesë për kalimin e pronësisë së truallit.

 

Personat e stimuluar, që nuk kanë hyrë në marrëdhënie porosie, sipërmarrjeje, premtimshitjeje, shitjeje, kalimi pronësie, dhurimi apo shkëmbimi për njësitë ndërtimore me të tretët, kanë të drejtë të kërkojnë kalimin e pronësisë për të gjithë truallin funksional dhe të lirë brenda zonës së stimuluar. Vendimi rregullon më tej edhe marrëdhëniet mes subjektit të interesuar për atë truall dhe personit të stimuluar, megjithëse ligji që njeh statusin e zonës dhe personit të stimuluar tashmë është shfuqizuar.

 

Subjekti i interesuar, me paraqitjen e kërkesës për kalimin e pronësisë së truallit, duhet të shlyejë tarifën e shërbimit në masën 10 000 lekë, si dhe të dorëzojë pranë drejtorisë vendore të ASHK-së kontratën (origjinale ose kopje të njësuar) që provon veprimin juridik ndërmjet tij dhe personit të stimuluar, apo palëve të treta për porosinë, sipërmarrjen, premtim shitjen apo kalimin e së drejtës së pronësisë mbi njësinë, sipas përcaktimeve të nenit 49, të ligjit nr. 20/2020,“Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë, në Republikën e Shqipërisë”./Burimi: Scan


Më të lexuarat