Tatimet rikujtojne: Ja faturat qe duhet te leshojne bizneset e dala nga TVSH
Bizneset e vogla me qarkullim deri në 10 mln lekë në vit, që nuk janë më subjekt i pagimit të TVSH duhet të pajisen me blloqe të thjeshta për lëshimin e faturave tatimore.
Pas dyndjes të lartë në muajin shkurt në Drejtorinë Rajonale të Tiranës për tërheqjen e blloqeve të faturave A4, shumë subjekte pohojnë se vazhdojnë të përdorin blloqet e vjetra, me shënimin e bërë prej tyre pa TVSH. Udhëzimi i administratës tatimore që parashikon se afati i kthimit të blloqeve të papërdorura është deri më 31 gusht u konsiderua për disa biznese të dala nga skema e TVSH si periudhe e lejimit të përdorimit të blloqeve të TVSH-së. Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj pohoi për Monitor se udhëzimi ka të bëjë me kohën që kanë tatimpaguesit për të dorëzuar blloqet e vjetra deri në muajin gusht, me qëllim që të mos krijohet dyndje në zyrat e shërbimit të tatimpaguesve.
“Në asnjë pikë të udhëzimit nuk parashikohet që subjektet mund të përdorin blloqet e vjetra për të lëshuar fatura pa TVSH. Bazuar në njoftimin e datës 19 shkurt 2021, tatimpaguesit duhet të pajisen me blloqe të thjeshta tatimore, pa TVSH, në momentin që nga ana e Administratës Tatimore ju hoq kjo përgjegjësi. Të gjitha subjektet të cilat kanë dalë nga skema e TVSH-së duhet të paraqiten pranë shërbimit të tatimpaguesve dhe të furnizohen me blloqe për lëshimin e faturave A4”, nënvizoi Ibrahimaj.
Administrata tatimore njoftoi në muajin shkurt se afti i fundit i dorëzimit të blloqeve të TVSH-së për bizneset që dolën nga skema do të jetë 31 gushti 2021. Dokumentacioni tatimor nga bizneset mund të dorëzohet dorazi ose me postë rekomande, sipas formateve, të cilat i gjeni si dokumente ndihmëse poshtë këtij njoftimi. Një kopje e procesverbalit të konfirmimit (Aneksi 3) do të vijë në mënyrë elektronike nëpërmjet çështjeve të krijuara në C@ts, nga inspektorët e kontrollit nga zyra, të cilët administrojnë dosjen tuaj. Tatimet: Bizneset që dolën nga TVSH-ja të dorëzojnë blloqet e papërdorura./Burimi: Monitor