
Hyjne ne fuqi masat e reja ne Kosove: Ndryshon ora policore, rihapen disa aktivitete
Ministri i Shëndetësisë ka njoftuar se në bazë të analizave të fundit, kanë vendosur masat e reja që kanë të bëjnë me heqjen e disa kufizimeve të pjesshme.
Sipas vendimit, kufizimi i lëvizjes do të vazhdojë të jetë nga ora 22:30 deri në 05:00. Sot do të rihapen shkollat, gastronomia dhe qendrat tregtare në Kosovë, pas 12 ditësh mbyllje. Në mbledhjen e së dielës, Qeveria vendosi që t’i zbusë masat antiCOVID, por u bë thirrje që masat për parandalimin e përhapjes së virusit korona të respektohen. Ndërsa vazhdon të jetë në fuqi ora policore e cila do të jetë nga ora 22:30 deri në ora 05:00 të mëngjesit. Institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit vazhdojnë mësimin sipas udhëzuesit përkatës për sektorin e arsimit. Me vendimin e ri, Qeveria ka hequr disa kufizime të vëna më 6 prill për luftim të pandemisë.
Qeveria e Kosovës pati marrë vendim për atë që është konsideruar mbyllje e pjesshme nga data 7 deri më 18 të këtij muaji. Masat kishin për qëllim luftimin e pandemisë, pas rritjes së numrit të të infektuarve nga muaji mars. Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 101,517 pacientë me këtë virus. Prej tyre 2,072 kanë vdekur.
Më poshtë të gjitha masat që u miratuan nga Qeveria e Kosovës:
Qytetari i huaj që hyn në Republikën e Kosovës, përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose përhershëm në Kosovë, që vijnë nga vendet me risk të lartë sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet të kenë test RT-PCR negativ për COVID-19 të bërë në 72 orët e fundit, në bazë të parimit të reciprocitetit.
Përjashtim nga pika 2 bëjnë:
3.1. Nëse qytetari i huaj hyn në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohet nga Kosova brenda 3 ore përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruaj deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda 3 ore;
3.2. Qytetari i huaj që punon si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje nga Covid-19;
3.3. Qytetari i huaj që kalon nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshoj territorin e Kosovës brenda 5 orësh;
3.4. Diplomatët e huaj të akredituar në Kosovë si dhe familjarët e tyre.
3.5. Personi që ka dëshmi për marrjen e vaksinës kundër COVID-19.
Në institucionet publike e private dhe në subjektet e tjera, të paraqiten në punë vetëm stafi esencial. Staf esencial konsiderohen punëtorët prezenca fizike e të cilëve në vendin e punës është e domosdoshme për kryerjen e detyrave të punës. Obligohen përgjegjësit përkatës në institucionet publike e private dhe në subjektet e tjera, që në bashkëpunim me punëtorët të definojnë stafin esencial. Punëdhënësit publikë dhe privatë udhëzohen të krijojnë kushtet për kryerjen e detyrave të punës nga shtëpia për punëtorët që nuk janë staf esencial për nevojat e punëdhënësit.
Të gjitha punëtoret shtatzëna duhet të lirohen nga obligimi për t’u paraqitur në punë duke iu krijuar mundësinë që të punojnë nga shtëpia. Obligohen institucionet publike e private dhe në subjektet e tjera të mbajnë dezinfektues për duar dhe maska për fytyrë në vende të qasshme në hyrje të objektit dhe në ambientet e brendshme. Obligohen institucionet publike e private dhe në subjektet e tjera që në hyrje të çdo objekti të vendosin shenja të dukshme të rregullave të sjelljes për mbrojtje nga Covid-19. Obligohen përgjegjësit e institucioneve publike e private dhe në subjektet e tjera që të kryejnë dezinfektimin dhe ajrosjet e hapësirave të mbyllura.
Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative, në të gjitha rastet përveç:
11.1. Gjatë ngasjes së automjetit vetëm apo me anëtarët e ngushtë të familjes;
11.2. Gjatë vrapit dhe çiklimit;
11.3 Gjatë ecjeve jashtë zonave të banuara dhe jo në grupe me më shumë se 4 persona të të njëjtës familje.
Kufizohet qarkullimi i qytetarëve nga ora 22:30 deri në 05:00, përveç:
12.1. Rasteve të natyrës urgjente (për të kërkuar ndihmë mjekësore, blerje të barnave, për të ofruar kujdes ose ndihmë mjekësore, për të shmangur dëmtimin ose për t’i shpëtuar një rreziku lëndimi).
12.2. Qarkullimit për personelin shëndetësor, të sigurisë, dhe operatorët që kryejnë punë dhe shërbime publike.
12.3. Operatorëve ekonomikë që sigurojnë funksionimin e zinxhirit të furnizimit (përfshirë transportin e mallrave/shërbimeve), por me kusht që të pajisen me leje të veçantë nga sistemi EDI i Administratës Tatimore të Kosovës.
Obligohen punëdhënësit të sigurojnë që punëtoret e tyre që i nënshtrohen kufizimit nga pika 12 kanë kohë të mjaftueshme për të udhëtuar nga dhe në banesat e tyre. Institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit vazhdojnë mësimin sipas udhëzuesit përkatës për sektorin e arsimit. Konviktet lejohet të punojnë sipas rregullit një student në një dhomë. Të gjitha institucionet publike dhe private të të gjitha niveleve të arsimit, iu ndalohet organizimi i aktiviteteve jashtë mësimore, siç janë ekskursionet, shëtitjet grupore, ahengjet e ndryshme të stafit mësimor apo të nxënësve – studentëve.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve udhëzohet të lirojë të gjithë përfituesit e skemave sociale dhe pensionale që menaxhohen nga MFPT-ja nga paraqitja e rregullt në zyrat përkatëse për qëllime të evidentimit siç kërkohet me ligjet përkatëse. Ndalohen të gjitha grumbullimet me rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së infeksionit, me më shumë se 30 persona (mbledhjet, seminaret, trajnimet). Pavarësisht numrit të personave, mbajtja e pritjes për ngushëllim/krye shëndoshë dhe organizimi i dasmave ndalohet. Përjashtim nga pika 18, bëjnë mbledhjet e Kuvendit të Kosovës, mbledhjet e Qeverisë, apo mbledhjet me interes të veçantë publik, të cilat lejohen pavarësisht numrit të personave.
Lejohen funeralet vetëm me pjesëmarrje të familjes së ngushtë, jo më shumë se 30 persona. Lejohet veprimtaria e qendrave tregtare sipas udhëzuesit përkatës. Obligohen të gjithë operatorët të cilët për veprimtari ekonomike kanë tregtinë me shumicë dhe pakicë që të përcaktojnë numrin maksimal të klientëve në lokal në të njëjtën kohë sipas rregullit – 1 person për 8 m2. Këta operatorë obligohen të shënojnë në hyrje numrin maksimal të klientëve të lejuar në të njëjtën kohë. Sipërfaqja llogaritet për zonën ku lejohen të qëndrojnë klientët. Personi përgjegjës i institucionit publik apo privat dhe i operatorëve ekonomik, obligohet që të ndalojë rreshtimin apo tubimin brenda dhe jashtë ambientit të punës/biznesit, përveç nëse ata mbajnë distancë fizike prej të paktën dy metra nga grupet e tjera të personave.
Shërbimet e gastronomisë lejohen të zhvillojnë aktivitetin e tyre në përputhje me udhëzuesin përkatës. Lejohen deri në 40 klient për 100m2 (4 persona për 10 m2). Sipërfaqja llogaritet për zonën ku shërbehet ushqimi dhe pijet. Ambienti duhet të konfigurohet në mënyrë që klientët e ulur në tavolina të ndryshme të ndahen duke u përmbushur distanca prej të paktën 1 metri në mes karrigeve/ulëseve. Klientët duhet të qëndrojnë ulur në çdo kohë në çdo ambient të operatorit ekonomik në të cilin lejohet shërbimi i ushqimit apo pijeve përveç:
26.1. Gjatë hyrjes apo daljes nga ambienti i operatorit ekonomik;
26.2. Ndërsa paguan porosinë;
26.3. Gjatë shkuarjes ose kthimit nga tualeti;
26.4. Kur është e nevojshme për qëllime të shëndetit dhe sigurisë.
Nëse një zonë në ambient të jashtëm ku shërbehet ushqimi dhe pijet, është e mbuluar nga një çati, tendë, ose element tjetër statik, të paktën dy anët e plota të të gjithë zonës duhet të jenë të hapura për jashtë dhe nuk duhet të bllokohen në mënyrë të konsiderueshme nga asnjë mur ose pengesa të tjera fizike të padepërtueshme. Nëse zona në ambient të jashtëm ku shërbehet ushqimi dhe pijet është e pajisur me një çati të lëvizshme dhe çatia tërhiqet, çatia dhe të paktën njëra anë e plotë e zonës së ngrënies në natyrë duhet të qëndrojë e hapur.
Shërbimi “dërgesë me porosi” lejohet të funksionojë edhe pas orës 22:30, pas pajisjes me leje të veçantë nga sistemi EDI (ATK). Në hotele, pas orës 22:30, shërbimi i pijeve dhe ushqimeve lejohet edhe në zonën e përcaktuar për ngrënie dhe pije, vetëm për mysafirët e këtyre subjekteve, të cilët verifikohen përmes listës që tregon personat që qëndrojnë për fjetje dhe që ofrohet nga subjekti përkatës. Lejohet veprimtaria e tregjeve publike të automjeteve, kafshëve dhe shpezëve deri në 40 për qind të kapacitetit. Therja e kafshëve lejohet vetëm në ambientet e autorizuara për këtë qëllim.
Transporti publik lejohet të punojë duke shfrytëzuar deri 50 për qind të kapacitetit dhe sipas udhëzuesit përkatës. Taksitë lejohen të punojnë me 1 udhëtar prapa ose 3 udhëtarë prapa nëse janë anëtarë të së njëjtës familje. Institucionet vartëse të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe komunave (siç janë teatrot, bibliotekat, filarmonitë, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme) lejohet të punojnë duke shfrytëzuar 30 për qind të hapësirës/sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitetet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime).
Lejohen aktivitetet sportive pa prezencë të publikut, të cilat duhet të realizohen në përputhje me protokollet vendore dhe ndërkombëtare sportive. Lejohet shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme për aktivitete individuale rekreative sipas udhëzuesit përkatës. Shfrytëzimi i fitneseve, palestrave dhe të ngjashme bëhet në proporcion 1 klient në 8m2. Aty ku është e mundur në software të fitnesit/palestrës të përcaktohet numri maksimal i klientëve që mund të kenë qasje në hapësirat e fitnesit.
Obligohet që personi përgjegjës i fitnesit/palestrës të ketë kujdes të veçantë në pikun e vizitës së klientëve, e që llogaritet koha nga ora 17:00 – 20:00, që të respektohet distanca e përcaktuar në udhëzues. Obligohet vendosja e shenjave informuese dhe dezinfektuesve (apo mjeteve të tjera për pastrimit) në secilën pajisje të fitnesit me qëllimit të vetëdijesimit dhe dezinfektimit të tyre nga secili klient pas përdorimit./Burimi: Monitor
Më të lexuarat








