Secondary Adv

Importet e karburanteve rritje rekord ne 2021: Arsyet nuk lidhen me konsumin

Importet e mallrave të akcizës janë rigjallëruar gjatë muajit mars duke arritur nivelet e parakrizës.

 

Rritje më të lartë shënuan importet e karburanteve të cilat arritën rekorde historike gjatë gjithë periudhës së krizës deri në fund të marsit. Ndërsa nga mallrat e tjera të akcizës janë rikuperuar importet e birrës dhe kafesë në muajin mars, ndërsa cigaret kanë vijuar uljen gjatë tre muajve të parë të 2021. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, në muajin mars, importet e karburanteve arritën në 46,6 mijë tonë me një rritje 56% në raport me marsin e vitit 2020 dhe me një rritje 36% në raport me marsin e 2019. Rritja është evidente për të gjithë tremujorin 2021 me 9% më shumë se viti i kaluar, ku pavarësisht krizës pandemike importet e naftës vitin e kaluar ishin në rekorde, prej 126 mijë ton. Karburantet janë ndër kontributorët më të mëdhenj të të ardhurave buxhetore sidomos në arkëtimet doganore nëpërmjet pagesës së akcizës, TVSH dhe taksave doganore.

 

Rritja e sasive të zhdoganuara të naftës ishte arsyeja kryesore e rritjes së të ardhurave doganore gjatë muajit mars. Burimet nga tregu pohuan se importet e larta të naftës po zëvendësojnë prodhimin e munguar të rafinerisë së ARMO. Burimet shpjeguan se konsumi nuk ka ndryshuar e për rrjedhojë importet nuk po udhëhiqen nga ky tregues, por po korrektojnë prodhimin e munguar. Por të dhënat historike nga Ministria e Financave tregojnë se importet nuk ishin kaq të larta edhe në vitet e tjera kur ARMO nuk ka qenë në punë. Gjatë dy muajve të parë të vitit 2021 importet e naftës ishin 79,361 tonë me një ulje 9% në raport me të njëjtën periudhe të një viti më parë, por ato panë një rritje të pazakontë në mars, duke e çuar sasinë e importuar gjatë tremujorit në nivelin më të lartë historik që nga viti 1991.

 

Importet e naftës ishin më të lartat e shënuara ndonjëherë, në një kohë që investimet në projektet e mëdha të investimeve, TAP dhe HEC-et në lumin Devoll kanë përfunduar, teksa kriza pandemike e goditi konsumin si rrjedhojë e rënies së lëvizjeve. Importet e birrës gjithashtu panë një rritje vjetore jo të zakonte në muajin mars me rreth 84%, teksa me tremujor treguesi ishte me rënie vjetore të lehtë. Edhe importet e kafesë shënuan rritje me 27% në mars dhe me një rritje më të butë për tremujorin e parë. Importet e cigareve nuk ndoqën të njëjtin trend duke pësuar ulje edhe gjatë muajit mars me rreth 25%, ndërsa për tremujorin ulja ishte 9%./Burimi: Monitor


Më të lexuarat