Secondary Adv

Ndertuesit kerkojne heqjen e takses se strehimit: Rrit cmimin e apartamenteve

Komuniteti i biznesit ndihet i shqetësuar në lidhje me një ligj të miratuar kohë më parë për barrën e taksave me të cilën është rënduar sektori i ndërtimit.

 

Në një deklarate të përbashkët për shtyp të “Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë”, “Dhomës shqiptare të Tregtisë”, “Biznes Albania” dhe “Unioni I Bashkimit të dhomave të tregtisë”, ngrihet shqetësimi se dy vjet më parë në mënyrë të njëanshme dhe arbitrare parlamenti ka votuar ligjin për Strehimin Social, i cili detyroi që 3 për qind të sipërfaqes së ndërtimit t’i kalohet bashkive për familjet e pastreha. Komuniteti i biznesit e konsideron këtë ligj si një taksë të paarsyeshme dhe kërkon rishikimin e saj. Ky ligj do të rrisë kostot për metër katror të çdo objekti të ri, pasi ai do të rëndojë në çmimin final që paguhet nga konsumatori.

 

Si hap të parë, komuniteti i biznesit kërkon që ky detyrim shtesë të evidentohet si një zë më vete në kontratën finale të shit-blerjes në mënyrë që të evidentohet që ky është një detyrim i politikës dhe jo një kosto e ndërtuesit. Nga ana tjetër, komuniteti i biznesit i bën thirrje Gjykatës Kushtetuese, e cila është duke e shqyrtuar këtë çështje, të shfuqizojë nenin detyrues të kësaj takse. Solidariteti për shtresat në nevojë dhe vulnerabile duhet të mbështet nga të gjithë tatim paguesit e Shqipërisë dhe jo vetëm nga një segment i caktuar i ekonomisë, siç është sektori i ndërtimit, i cili sot është më i rënduari nga barra e taksave.

 

Ligji nr 22/2018, date 03/05/2018, “Për Strehimin Social” hasi që në fillim në kundërshtimin e bizneseve. Sipas një deklarate të atëhershme, ndërtuesit paralajmëruan se kjo taksë do të përfshihej në çmimin e apartamenteve.“Me justifikimin se po bën politika sociale në favor të njerëzve në nevoje, Qeveria nuk po kupton se ne të ardhmen do të rëndojë xhepat e qytetareve te thjeshte, të cilët si konsumatorë finalë do të detyrohen që, ashtu si edhe në rastet e tjera, të mbartin kostot e këtyre politikave sociale, pasi është e qartë se kjo takse do të rrisë çmimet e pasurive të paluajtshme”, thuhej në një deklaratë të Shoqatës së ndërtuesve 2 vjet më parë.

 

Çmimet e apartamenteve kanë shënuar rritje të vazhdueshme dy vitet e fundit dhe ndërtuesit pohojnë se një nga arsyet është taksa e strehimit social. Disa kompani ndërtimi, në kontratat e shitjes po e veçojnë taksën e strehimit, duke ia shtuar çmimit që është rënë dakord, në mënyrë që të specifikohet se kjo është një kosto shtesë, që nuk ka të bëjë me politikat e çmimeve të kompanisë./Burimi: Monitor


Më të lexuarat