Secondary Adv

Rritet kosto per aksin Kardhiq-Delvine: ARRSH zhvillon tender pa shpallje

Loti 6 i aksit rrugor Kardhiq – Delvinë do të kushtojë 467 mln lekë më shumë se vlera fillestare e parashikuar kontratë.

 

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka zhvilluar një procedurë tenderuese, pa shpallje paraprake të njoftimit, ku ka marrë pjesë vetëm një kompani, oferta e së cilës është shpallur edhe fituese. Sipas formularit të njoftimit të fituesit, Drejtoria e Projekteve të Brendshme dhe të Huaja Teknike ka paraqitur realcionin teknik, të miratuar nga titullari i Autoritetit Kontraktor, në të cilin janë paraqitur dhe prezantuar të gjitha shkaqet, që kanë çuar në nevojën për këtë shtesë kontrate. Në këtë dokument thuhet se nevoja për punë shtesë lidhet me gjeologjinë dhe problematikat teknike që kanë dalë gjatë kohës së zbatimit, ndërkohë që këto punime janë të nevojshme për përfundimin e kontratës bazë.

 

Vlera fillestare e kontratës për lotin 6 të kësaj rruge është 2.85 mld lekë, ndërkohë që me shtesën e miratuar së fundmi ajo shkon në 3.31 mld lekë. Aksi rrugor Kardhiq – Delvinë ka një gjatësi 33 km dhe përshkon rrethin e Gjirokastrës, Delvinës dhe Sarandës. Kjo rrugë është konsideruar si një prej akseve më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe turistik, teksa funksionimi i tij shkurton me një orë udhëtimin nga Tirana drejt Sarandës. Punimet për ndërtimin e këtij aksi nisën në vitin 2009, por deri më tani nuk kanë përfunduar ende./Burimi: SCAN


Më të lexuarat