Plan masash per sigurimin e zgjedhjeve: 74 objekte me rendesi ne mbrojtje nga sot
Dy ditë para 25 prillit policia ka prezantuar planin e masave për të siguruar mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
Albert Dervishaj zv.drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit tha se duke nisur nga sot deri të martën do të merren në mbrojtje 74 objekteve të rëndësishme shtetërore. "Është përgatitur dhe miratuar Urdhri i Përbashkët i Ministrit Brendshëm dhe Ministrit të Mbrojtjes, si dhe Urdhri i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, për marrjen në ruajtje nga sot ora 14:00 dhe deri ditën e martë, të 74 objekteve të rëndësishme shtetërore, nga forcat “Komando”, pasi 228 punonjës të policisë që sigurojnë këto objekte, do të angazhohen me detyrë për sigurimin e objekteve zgjedhore”.
7519 punonjës të policisë janë trajnuar për tu angazhuar në zgjedhje. Në KQZ është dorëzuar lista me 5.427 punonjës të policisë që do të angazhohen me shërbim për ruajtjen e objekteve zgjedhore në të gjithë vendin."Për shkak të disa ndryshimeve të Kodit Zgjedhor dhe akteve të KQZ, theks të veçantë mori trajnimi i 7.519 punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët do të angazhohen me detyra gjatë zgjedhjeve, sipas hierarkisë së menaxhimit policor, deri tek niveli bazë i veprimit policor. Për sigurimin e 5.199 Qendrave të Votimit dhe 92 KZAZ/VNV janë bërë përllogaritjet e punonjësve të Policisë, për transportimin me automjete, pajisje, armatim, radio komunikim, ushqime tj, deri tek votimi i tyre si shtetas të Republikës së Shqipërisë.
Gjithashtu janë prodhuar dhe dorëzuar në afat vulat e kërkuara nga KQZ: për KZAZ, QV, VNV etj. Listën me 5.427 punonjës të policisë që do të angazhohen me shërbim për ruajtjen e objekteve zgjedhore në të gjithë Shqipërinë. Listën me 535 automjete të pauniformuara që do të përdoren në funksion të përmbushjes së detyrimeve të Policisë së Shtetit, për garantimin e rendit dhe sigurisë. Nga strukturat e disa njësive policore në Tiranë, Drejtorive Vendore të Kufirit e Migracionit dhe struktura të tjera policore, do të dërgohen 1.273 punonjës policie në funksion të procesit zgjedhor në disa Drejtori Vendore të Policisë, si dhe do të vihen në dispozicion 61 automjete për transportimin e tyre".
Më tej Dervishaj shtoi se sot përfundon shoqërimi nga strukturat policore i materialeve zgjedhore nga Tirana në drejtim të 92 KZAZ në të gjithë vendin dhe deri tani nuk është evidentuar asnjë problem."Policia e Shtetit, deri në datën 22.04.2021 ka angazhuar 8.049 punonjës policie dhe ka garantuar 3.429 aktivitete elektorale të zhvilluara gjatë fushatës edhe pse në kushtet e kufizimeve për shkak të pandemisë së COVID-19. Sot përfundon shoqërimi nga strukturat policore i materialeve zgjedhore nga Tirana në drejtim të 92 KZAZ në të gjithë vendin dhe deri tani nuk është evidentuar asnjë problem"./Burimi: Shqiptarja.com