Secondary Adv

Ulet tarifa e skanimit ne dogana, nga 39 ne 22 euro

Tarifa që bizneset do të paguajnë për skanimin e kontenierëve në dogana nuk do të jetë 39 euro për deklaratë, por kjo do të pësojë një ulje të ndjeshme ku vlera minimale shkon në 5 euro dhe ajo maksimale 22 euro.


Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, prezantoi dje marrëveshjen e arritur me mirëkuptim me kompaninë që ka me koncension shërbimin e skanimit të kontenierëve në dogana “Rapiscan System”, e cila, tha ai, bën të mundur uljen e tarifave dhe kostove për sipërmarrjen.Sipas ministrit Cani, skema e re e pagesës do të jetë me tarifa të përshkallëzuar në dy blloqe. Më konkretisht, për deklaratat doganore me vlerë mbi 1 mijë euro, biznesi do të paguajë 22 euro për shërbimin e skanimit, ndërsa për deklaratat nën këtë vlerë, pagesa do të jetë 5 euro.


“Nëse duam të bëjmë një llogaritje të dimë se sa merr me kontratën e re, nëse do të duam të bëjmë një llogaritje se sa do të merrte me kontratën ekzistuese, ose me ligjin ekzistues, mund të them që në fillim që niveli mund të jetë edhe më i lartë, por kursimi nga ndryshimi që në kontratën e re është nga 100 deri në 106 milionë euro. Pra, nuk mund të shkojë kursimi nga negociatat poshtë 100 milionë euro, kurse ne kemi zgjedhur një marzh e kuptohet është në varësi të nivelit të rritjes të deklaratave nga viti në vit por në vlera konservatore, kursimi është nga 100 milionë deri në 106 milionë euro”, tha Cani në Komisionin e Ekonomisë.


Sipas relacionit të marrëveshjes, me skemën e parë, kompania koncesionare “Rapiscan System” do të përfitonte 316 milionë euro për 15 vitet e koncesionit. Por, me rishikimin e marrëveshjes, kjo shumë kufizohet në 210 milionë euro ose 106 milionë euro më pak.


Ndërkohë, arritja e marrëveshjes së re nuk ka kaluar pa debate në komisionet përkatëse ku është diskutuar. Kjo marrëveshje u votua në Komisionin e Ligjeve dhe në atë të Ekonomisë dhe të Financave. Deputetët e mazhorancës dhe ato të opozitës votuan , ndërsa debati pritet të zhvendoset në seancën e Kuvendit këtë të enjte.


Më të lexuarat