Qeveria shqiptare në bashkëpunim edhe me qeverinë norvegjeze kanë ndërmarrë një nismë për krijimin e tregut dhe bursës së energjisë.
Ministria e Energjisë dhe Industrisë prezantoi sot nismën e re për krijimin e tregut dhe bursës së energjisë në Shqipëri. Ministri Damian Gjiknuri vlerësoi asistencën e qeverisë së Norvegjisë në realizimin e këtij projekti, bazuar në modelin e shtetit nordik dhe çmoi rëndësinë që ka zgjerimi dhe zhvillimi i tregut të liberalizuar të energjisë, si një hap i rëndësishëm për tregun rajonal energjitik.
“Tryeza për krijimin e bursës së energjisë përcakton një skedul për liberalizimin e tregut të energjisë”, tha Gjiknuri, i cili njoftoi se kanë nisur hapat për bashkimin e tregut të energjisë me Kosovën. "Po bëhen hapa për të bashkuar tregjet me vendet fqinje si me Kosovën. Vitin tjetër nis ndërtimi edhe i linjës 400 Kv me Maqedoninë", tha ai.
Ministri vlerësoi rëndësinë që ka krijimi i zyrës së përbashkët për energjinë, duke theksuar se sa më i madh tregu, aq më shumë ka mundësi financimi i projekteve të energjisë si dhe alternimi i burimeve energjetike. Gjiknuri tha mes të tjerave, se po bëhen investime për lidhjen e interkonjeksioneve të energjisë të Shqipërisë me vendet fqnije. “Ne kemi objektiv, që në vitin 2020 Shqipëria do të jetë e lidhur me gjitha vendet e rajonit”, tha Gjiknuri.
Ministri njoftoi se investimet që kanë nisur dhe do të vijojnë në përmirësimin e sektorit të shpërndarjes së energjisë, si dhe për strategjinë që po hartohet për burimet e rinovueshme, përfshirë dhe gazin, i cili pasi të diskutohet me grupet e interesit, do të kalojë për miratim në qeveri.