Secondary Adv

Greqia pritet te hape kufijte per shqiptaret: Ja si dhe kur mund te udhetojme

 Greqia pritet të hapë pas më shumë se një viti kufijtë tokësorë dhe ajrorë për shqiptarët më 14 maj.

 

Burime nga Ministria e Jashtme thonë se me nisjen e sezonit turistik, vendi fqinj do të lejojë hyrjen e qytetarëve nga vendi ynë, duke hapur pikën kufitare të Kakavijës. Megjithatë, rregullat e kalimit të qytetarëve mësohet se po negociohen nga autoritetet shëndetësore të dy vendeve. “Për të kaluar në Greqi, qytetarët do të duhet të dorëzojnë një tampon, ose një dokument që tregon se janë vaksinuar apo e kanë kaluar Covid-19”, thonë burimet.

 

Dokumenti, i cili do të shërbejë si certifikatë vaksinimi, do të printohet nga e-Albania, por nuk është ende e qartë nëse është përditësuar apo përshtatur sipas standardeve europiane. Burime nga Ministria e Jashtme theksojnë se kushtet e sigurisë për lëvizjen e qytetarëve dhe certifikata e vaksinimit i është lënë në dorë Ministrisë së Shëndetesisë. Përveç datës së vaksinimit dhe emrit të vaksinës, certifikata duhet të përditësohet në mënyrë që të përmbajë po ashtu të dhëna për testet seriologjike, në mënyrë që qytetarët të mund të udhëtojnë edhe nëse kanë fituar imunitet në mënyrë natyrale ose nuk janë të infektuar.

 

Greqia ka mbyllur kufijtë tokësorë për më shumë se një vit për shqiptarët. Vendimi është vendosur vitin e kaluar, gjatë karantinës së parë në mars dhe prej atëherë zgjatet çdo dy javë. Të shtunën Greqia zgjati deri më 14 maj mbylljen e kufijve tokësore me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Vendkalimi kufitar i Kakavijës me Shqipërinë punon nga ora 07.00 deri në orën 19:00 dhe lejohet hyrja e vetëm disa kategorive të caktuara, me test negativ ose me test të shpejtë të bërë nga autoritetet greke. Nga kjo pikë kufitare nuk lejohet kalimi i më shumë se 400 personave në ditë, të cilët janë të detyruar të qendrojnë në karantinë 14 ditë.

 

Po ashtu Greqia po lejon hyrjen e shqiptarëve për arsye absolutisht të domosdoshme profesionale ose mjekësore, për të cilat kanë edhe vërtetimet e nevojshme, për kamionët transportues, si dhe për tranzit të automjeteve të cilët i takojnë personelit diplomatik, ushtarak ose administrativ të vendeve anëtare të BE-së. Po ashtu, Greqia ka ndaluar edhe udhëtimin me avionë drejt vendit fqinj, edhe pse para disa ditësh njoftoi se do të lejonte udhëtimet ajrore nga vendet e treta. Të vetmit që mund të udhëtojnë me avion drejt vendit fqinj janë rezidentët, personeli mjekësor, diplomatët dhe punëtorë sezonalë bujqësorë.Burimi: Balkanweb


Më të lexuarat