
Kontratat e koncesioneve, shkurtohen procedurat ne 145 dite
Sipas një studimi të Ministrisë për Zhvillimin Ekonomik për afatet e procedurës, marrjes së koncesionit apo partneritetit publik privat, kjo kohë është edhe më e gjatë (një vit e gjysmë) nëse futet brenda kryerja e studimit të fizibilitetit për projektin.
Nëse realizohen afatet e reja të kryerjes së procedurave për koncesionet, Shqipëria do të përmirësojë shumë pozicionin e saj në renditjen “Doing Business”. Koha e procedurave në realizimin e një sipërmarrjeje ndërtimi, sipas raportit “Doing Business 2015″, vlerësohet 33, 3% të pikëve.
Shkurtimi i afatit
Ministria e Ekonomisë, pasi ka bërë një analizë pothuajse të të gjitha koncesioneve të dhëna, qoftë të fituara, qoftë të dështuara, ka përllogaritur që në rastin më të mirë, zyrtarisht afati për të marrë një koncesion është 272 ditë. Në bashkëpunim me disa institucione ndërkombëtare, por edhe me ministritë e linjës, që janë autoritetet kontraktuese të koncesioneve, është përgatitur plani për të shkurtuar rrugën. Puna e parë do të jetë përmirësimi cilësor i idesë paraprake të projektit.
Kushti që ka vendosur ministria, është shoqërimi i projektit fillestar me studimin e plotë të fizibilitetit. Më parë, subjekti mund të paraqiste një ofertë të thjeshtë dhe një komision me një autoritet kontraktues mund t’ia pranonte dhe të fillonte rrugën e gjatë të bërjes së fizibilitetit, që ishte një ndër elementet e vonesës. Me ndryshimet ligjore që janë miratuar së fundmi, autoritetet kontraktuese, që janë kryesisht ministritë e linjës, nuk pranojnë më projekte të pashoqëruara me studimin paraprak të fizibilitetit të avancuara ose të plota.
Numri i ditëve, sipas studimit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, shkurtohet në maksimum 145 deri në 150 ditë. Pas dorëzimit të projektit, ligji përcakton një afat 60-ditor për kryerjen e procedurave të koncesionit. Ky afat mund të zgjatet me 30 ditë për projekte komplekse. Kjo masë nuk do të lejojë tejzgjatjen e procedurave të partneritetit publik/privat në të ardhmen.
Njësia e koncesioneve
Ngritja e Njësisë së Trajtimit të Koncesioneve të partneritetit publik/privat pranë Ministrisë për Zhvillimin Ekonomik, e bën më të mundshme uljen e ditëve të procedurës. Ky komision kryen të gjitha procedurat për dhënien e koncesionit të partneritet publik/privat, që nga kryerja e studimit të fizibilitetit deri te nënshkrimi i kontratës, si dhe monitorimi i zbatimit të saj. Kjo njësi organizohet dhe funksionon në bazë të një vendimi të qeverisë, duke fituar një lloj autonomie në punën e saj. Kjo njësi ka për detyrim të krijojë dhe të mbajë regjistrin e koncesioneve.
Mbajtja e regjistrit do t’i ndihmojë autoritetet tatimore që të monitorojnë dhe vlerësojë riskun, por edhe të provigjonojnë në vite kostot e koncesionit. Në të njëjtën kohë edhe përfitimet nga koncesioni shumë shpesh nga një eksperiencë disavjeçare janë të shpërndara në disa autoritete. Tani do të menaxhohen nga Ministria e Financave. Ndryshimi tjetër është që deri sot koncesionet në fushën e energjisë nuk janë dhënë në bazë të ligjit për koncesionet, do të trajtohen nga njësia e re. Me këto ndryshime konsolidohet një procedurë e vetme.
Bonusi
Eshtë parashikuar që në rastet e propozimeve të pakërkuar subjektit i jepet një bonus për rezultatin teknik ose financiar deri në maksimumi 10% të pikëve totale të garës, që ndikon në nxitjen e kompanive për të hartuar projekte sa më të plota. Me ligjin aktual, një subjekt i interesuar mund të bëjë një ofertë të pakërkuar dhe në procedurë e sipër, nëse humbet në garë, shteti do të duhet t’i paguajë të gjithë koston e studimit të fizibilitetit. Bonusi me kriteret e reja fton një masë më të madhe të interesuarish dhe garanton që, nuk pranohet më një ofertë minimaliste, por ka një kosto reale në bërjen e një projekti konkret.
Më parë, përveçse në fushën e energjisë, në sektorët e tjerë bonusi nuk ka funksionuar. Bonusi është deri në 10% të pikëve totale të garës. Këshilli i Ministrave, me akt të veçantë, do të përcakton rregullat për vlerësimin e propozimeve të pakërkuara dhe të përfitimit të bonusit. Në këtë kuadër, Ministria e Zhvillimit Ekonomik nuk është autoritet kontraktues, por përgatit dhe ndjek të gjithë procesin. Agjencia e Prokurimit Publik do të kryejë monitorimin e respektimit të procedurave konkurruese, përjashtimin e një operatori ekonomik, si dhe publikimin e dokumenteve standarde. Ndërsa autoritetet kontraktuese do të jenë ministritë e linjës dhe njësitë e qeverisjes vendore./Gazeta Shqip
Më të lexuarat








