Secondary Adv

Miratohet Kodi i ri Rrugor: I hapet rruge rifillimit te kolaudimit

Është miratuar në Kuvend Kodi i ri Rrugor që synon të ulë numrin e aksidenteve si dhe ashpërsojë masat ndëshkuese për shkelësit, si për drejtuesit edhe kalimtarët.

 

“Parandalimi më efikas i aksidenteve rrugore dhe përshtatja e ligjit me përmirësimet e sistemeve të brendshme ose kalimit në shërbimet online që ju ofrohen qytetarëve. Me ndryshimet që miratohen sot në kodin rrugor ashpërsohen masat për drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor kryesisht për përdorimin e alkoolit, për përdorimin e celularit ose në rast se ju kryeni shkelje të përsëritura”, u shpreh Hysi. Me miratimin e tij i hapet rruga edhe rifillimit të procesit të kolaudimit i bllokuar që prej muajit janar 2021. “Projektligji i propozon të ri-përcaktojë afatet dhe frekuencën për kryerjen e kontrolleve teknike të automjeteve, kur mjetet janë të reja ose të përdorura”, tha Hysi.

 

Pas hyrjes në fuqi të projektligjit kontrolli për mjetet e përdorura do të kryhet një herë në 2 vite dhe për mjetet e reja që hyjnë për herë të parë në vend kolaudimi do të kryhet pas 3 vitesh. Ndërsa mjetet taksi, autoshkolla dhe mjetet e transportit të mallrave dhe udhëtarëve nga çdo 6 muaj do ta kryejnë vetëm 1 herë në vit. Gjatë diskutimeve deputeti i opozitës Myslim Murrizi, propozoi që të falën gjobat e marra gjatë pandemisë për drejtuesit e mjeteve që nuk respektuan dot orën policore se çuan njerëz në spitale.

 

“Meqë jemi të kodi rrugor ftoj mazhorancën të merrte një nismë dhe të falte gjobat gjatë pandemisë dhe kthimin e patentave të atyre personave që janë penalizuar për dërgesë në spital të hallexhinjve që nuk kanë korresponduar me orën policore. Do të ishte mirë që të gjitha lejet e drejtimit të pezulluara për këtë shkak, të vinte një nismë ligjore për amnisti. Edhe unë jam dakord që kodi rrugor të jetë i përqasur. Do të doja të ishte një kod i BE por gjithsesi shpreh votën time pro dhe pres nga mazhoranca për të dërguar një amendament për të falur gjobat gjatë pandemisë", tha ndër të tjera Murrizi./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat