Secondary Adv

Bizneset nuk do te paguajne taksa nese nuk u rimbursohet TVSH-ja

Bizneset që kanë të drejtën e rimbursimit të TVSH-së lidhur me aktivitetin që zhvillojnë do të mund të përfitojnë lehtësi, madje mund të mos paguajnë taksat e radhës duke i zbritur ato nga detyrimi që shteti s’u ka paguar.


Dy propozime të dy deputetëve të Komisionit të Ekonomisë, më saktë kryetarit Erjon Braçe dhe deputetit Ervin Koçi, saktë- sojnë këtë pikë, por edhe disa të tjera që lidhen me përshpejtimin e procedurave.


Rimbursimi
Brenda Drejtorisë së Tatimeve do të ngrihet një drejtori e posaçme, që do të njihet si Drejtoria e Rimbursimit të TVSH-së, e cila do të marrë në vlerësim të gjitha kërkesat për rimbursim. Propozimi synon që rimbursimi të jetë automatik dhe në bazë të riskut që paraqet një subjekt.


“Drejtoria e Rimbursimit të TVSH-së në DPT, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale Tatimore ku është i regjistruar tatimpaguesi , brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së tatimpaguesit dhe brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së tatimpaguesve eksportues, verifikon situatën tatimore të tatimpaguesit dhe miraton tepricën kreditore si të rimbursueshme dhe, kur është e nevojshme, ushtron kontroll bazuar në analizën e riskut”, thuhet në propozimin e bërë në ligjin “Për procedurat tatimore”.


Zbritja
Një tjetër pikë e propozuar për ndryshim u jep të drejtën bizneseve që, nëse nuk u është bërë rimbursimi brenda afatit, atëherë ato mund të rakordojnë pagesën e taksave që duhet të bëjnë pranë Tatimeve me paratë që nuk kanë marrë.


“Brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së tatimpaguesit dhe brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së tatimpaguesve eksportues, Administrata Tatimore kryen procedurën e rimbursimit, siç përcaktohet për këtë qëllim në ligjin ‘Për Procedurat Tatimore në RSH’. Administrata tatimore, para se të procedojë një kërkesë për rimbursim të TVSH-së për një person të tatueshëm, ka të drejtë ta detyrojë atë person të provojë që qëllimi i veprimtarisë ekonomike është realizimi i transaksioneve të tatueshme, që i japin të drejtën e zbritjes së TVSH-së”, thuhet në propozimin e bërë nga deputetët.


Në relacionin shpjegues theksohet se këtë e ka këshilluar edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe është e menaxhueshme me sistemin e ri informatik që kanë sot Tatimet.


Më të lexuarat