Përgjatë muajit Maj Inspektoriati Qendor Teknik ka gjobitur 21 subjekte të tregtimit të karburantit për cilësi jashtë parametrave të lejuar.
Sipas njoftimit për shtyp në faqen zyrtare të këtij institucioni, subjektet e gjobitura ndodhen në zona të ndryshme të vendit, ndërkohë që masa e penalizimit ka qenë e ashpër. Dy subjekte janë gjobitur për shkak të mungesës së dokumentacionit përkatës dhe lejeve të ushtrimit të aktivitetit, ndërsa 19 subjektet e tjera janë gjobitur për shkak të tregtimit të karburantit jashtë standardeve.
Vihet re se, vlera më e lartë e gjobës së vendosur është 4 milionë lekë, një masë kjo tepër e rëndë për subjektet tregtare që operojnë në vendin tonë. Megjithatë, abuzimet në dëm të konsumatorit nga ana e tregtarëve janë të shumta dhe nuk kanë lidhje vetëm me cilësinë e tregtuar, por edhe me sasinë dhe çmimin në tabelë.
Në Shqipëri, çmimi për çdo litër karburant të tregtuar ka arritur në rreth 190 lekë, dhe situata e krijuar nuk reflekton aspak ecurinë e çmimi të naftës në bursat ndërkombëtare, ku ka shënuar një rënie të konsiderueshme gjatë ditëve të fundit. Edhe kërkesa në vend për këtë produkt vazhdon të paraqitet e ulët, çka të bën të mendosh se, abuzimi me çmimin kryhet nga tregtarët e shumicës, ku tregu ka krijuar kushtet e një oligopoli.