Brenda majit rinis kolaudimi: Afatet e reja te kontrollit teknik sipas mjeteve
Pas pezullimit që nga janari i këtij viti, brenda muaj maji pritet të rifillojë kontrolli teknik i mjeteve.
Drejtori i DPSHTRR-së Blendi Gonxhja konfirmon për Report TV se kolaudimi do të nisë brenda pak ditësh. Gonxhja sqaron se kolaudimi do rifillojë fillimisht për 150 mijë mjete që nuk janë përfitues të ndryshimeve ligjore. Pra për ato mjete që janë pa certifikatë të vlefshme pasi ju është refuzuar kolaudimi vjet, për mjetet e përdorura që janë regjistruar në vend pas datës 31 dhjetor 2020, si dhe për taksitë, autoshkollat apo ambulancat të cilat kanë plotësuar 12 muaj dhe duhet ti nënshtrohen kolaudimit. Ndërkohë Gonxhja thotë se faza e dytë e kolaudimit do të fillojë për mjetet që përfitojnë nga ndryshimet e Kodit Rrugor të cilat do të njoftohen hap pas hapi nga DPSHTRR dhe në E-Albania.
Me ndryshimet që ka pësuar kodi rrugor janë përcaktuar edhe afatet e reja se kur një mjet do i nënshtrohet kontrollit teknik. Për shembull në rast se ka drejtues mjeti që ju skadon vlefshmëria e certifikatës më 1 qershor 2021 ata nuk do e kryejnë kolaudimin tani por në qershor të vitit 2022. E njëjta gjë do të ndodh për të gjitha automjetet që ju skadon kolaudimi pas rifillimit të këtij procesi. Ndërsa po punohet edhe për udhëzimin përkatës që pritet të dalë në ditët në vijim për rifillimin e këtij procesi.
Ndryshimet në Kodin Rrugor u miratuan në seancën e fundit plenare, dhe tashmë pritet të dekretohen nga Presidenti Ilir Meta që të fillojë menjëherë zbatimi i ligjit. Në rast se presidenti nuk e dekreton ligjin, afati i rifillimit mund të zgjatet, pasi ligji kalon edhe një herë në komisionet parlamentare si dhe për rishikim apo rrëzim dekreti në seancë plenare. Kolaudimi është pezulluar që në janar për shkak se përfundoi kontrata koncesionare me SGS Automotiv Albania në fund të dhjetorit 2020 që ofronte këtë shërbim dhe kontrolli teknik i kaloi shtetit kontretisht DPSHTRR./Burimi: Shqiptarja.com