Secondary Adv

Nis kompensimi per pronat e zena nga ndertimet pa leje

Rreth 480 mijë pronarët që u është zënë toka nga ndërtimet pa leje duhet të aplikojnë në zyrën e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për të përfituar kompensimin për pronën.


Përveç 420 mijë ndërtimeve që janë në proces legalizimi, në këtë fond shtohen edhe 60 mijë pronarët të cilëve u është zënë prona nga ndërtime pa leje të cilat deri para pak kohësh ishin të përjashtuara nga ky proces. Me miratimin e ligjit për përfshirjen në proces legalizimi të ndërtimeve deri në datën 27 qershor 2014, pronarët e tokës që preken nga ky proces duhet të aplikojnë për të përfituar kompensimin.


Shqyrtimi
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka ngritur grupin e punës, i cili do të kryejë pranimin dhe regjistrimin e kërkesave të subjekteve të interesuara. Sipas AKKP-së, aplikuesit kanë detyrimin të paguajnë tarifën e shërbimit në vlerën 2.000 lekë dhe gjithashtu të hapin në emër dhe për llogari të tyre, një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë. Subjekti apo përfaqësuesi i tij, me prokurë duhet të paraqesë pranë AKKP-së Tiranë kërkesën-tip që i vihet në dispozicion nga grupi i punës pranë AKKP-së, të plotësuar sipas rubrikave.


Në listën e dokumenteve është dëshmia e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Sipas ligjit, për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial, të sillet certifikatë familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi. Një tjetër dokument është prokura e posaçme, e nënshkruar nga të gjitha subjektet që përfitojnë kompensim. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar apo të një pjese të tyre, për çdo aplikim të kryer, paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2.000 lekë, pavarësisht se i përket së njëjtës pasuri të paluajtshme.


Subjekti përfitues duhet të paraqesë vërtetimin origjinal të lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare dhe IBAN-in përkatës, fotokopjen e dokumentit të identifikimit, certifikatën familjare të kërkuesit dhe mandatpagesën. Subjektet përfituese, kërkesa e të cilave nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të riaplikojnë. Këto subjekte nuk paguajnë tarifë shërbimi, nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm.


Ligji
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 6 e 8, të ligjit nr.10239, datë 25.2.2010, “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, të nenit 15/1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave.
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në zbatim të vendimeve të Këshillit të Ministrave, ku përcaktohet shpërblimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale, njofton publikisht në media dhe/ose nëpërmjet faqes së vet zyrtare, listën e personave që përfitojnë nga fondi i kompensimit të pronave, për periudhën përkatëse. Me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së, ngrihet grupi i punës për pranimin dhe shqyrtimin e kërkesave, me objekt shpërblimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale, dhe shpërndarjen e fondit përkatës.


Kjo procedurë kryhet për çdo fond që i kalon AKKP-së sipas ligjit nr.10239, datë 25.2.2010, “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, dhe në zbatim të vendimeve të Këshillit të Ministrave, ku përcaktohet shpërblimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale. Kompensimi bëhet në masën e përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave, ku parashikohet shpërblimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale.


AKKP-ja kryen veprimet me degën e Thesarit dhe bankën e nivelit të dytë për derdhjen e shumës në depozitën bankare, të hapur për këtë qëllim nga subjekti përfitues, në përputhje me procedurat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit. AKKP-ja realizon ndarjen e fondit të kompensimit të pronave në vlerë proporcionale me masën përkatëse të parashikuar në listat bashkëlidhur vendimeve të Këshillit të Ministrave, që përcaktojnë shpërblimin e pronarëve për pasuri, të cilat preken nga ndërtimet informale, deri në të njëjtën masë të përfituar nga subjektet e kompensuara më parë./Balkanweb


Më të lexuarat