Secondary Adv

Thellohet deficiti tregtar: 54.9 per qind me i larte se nje vit me pare

Tregtia e jashtme po jep sinjale rimëkëmbje përmes rritjes së eksporteve dhe importeve, megjithatë defiçiti tregtar i vendit vijon të mbetet i lartë.

 

Të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se vlera e këtij treguesi arriti në 34 miliardë lekë me një rrtje prej 54.9% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë sektori i ndërtimit rezulton kontribuesi kryesor në rritjen e eksporteve dhe importeve. Lehtësimi i masave kufizuese të pandemisë po jep sinjale pozitive në tregtinë e jashtme, e cila duket se ka filluar rimëkëmbjen pavarësisht se deficiti tregtar është thelluar më tej. Të dhënat e fundit të INSTAT konfirmojnë se muaji prill ka ardhur me një rritje të ndjeshme në eksporte me 92.3% krahasuar me një vit më parë. Vlera e mallrave që u shitën jashtë vendit arriti në 29 miliardë lekë dhe ndikimin më të madh në këtë tregues e ka dhënë ndërtimi me 28.6%, ndjekur më pas nga fasoneritë me 25%.

 

Tekstilet dhe këpucët, grupi kryesor eksportues në vend, vijojnë të vuajnë pasojat e karantinës në disa vende të Europës. Ndonëse me rritje prej 17% për 4 mujorin në raport me një vit më parë, shitjet e këtij grupi mbeten të ulëta. Por edhe pse importet janë gjithashtu në rritje deficiti tregtar është thellur me 54.9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke arritur në 34 miliardë lekë. Në muajin që lamë pas produktet që u blenë jashtë për të plotësuar nevojat e vendit kapin vlerën e 63 miliard lekëve me një rritje prej 72.9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Rritja është ndikuar kryesisht nga pjesët e këmbimit për makineri, por edhe në këtë ndërtimi shfaqet si një shpëtues i ekonomisë me një kontribut prej 13.5%. Sektori më i goditur nga kriza përsa i përket importeve rezultojnë grupi i ushqimeve dhe pijeve, i cili sinjalizon një rënie të konsumit. Vendet me të cilat Shqipëria ka shënuar rritjen më të madhe të eksporteve janë Kosova, ndjekur më pas nga fqinjët italianë dhe Gjermania. Ndërkohë që rënia më e madhe është shënuar nga Ukraina, Rumania dhe Bosnje Hercegovina./Burimi: Oranews.al


Më të lexuarat