7.9 mld leke fatura te papaguara: Lista e borxheve sipas institucioneve
Detyrimet e prapambetura të institucioneve qendrore dhe institucioneve vendore deri në fund të marsit të këtij viti rezultojnë në rreth 20.7 mld lekë.
Pjesën më të madhe e zënë detyrimet e prapambetura të institucioneve qendrore, me rreth 7.9 mld lekë, tregojnë shifrat zyrtare nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Por, cilat janë institucionet më borxhlije dhe ato më të rregullta? Shifrat tregojnë se Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjisë mban vendin e parë, me 29.1% të totalit, ose 2.3 mld lekë, e ndjekur nga ajo e Mbrojtjes me rreth 26.7% të totalit si dhe ajo e Financave dhe Ekonomisë me 26.2% të totalit.
Presidenca, Këshilli i lartë Gjyqësor si dhe Ministria e Bujqësisë rezultojnë të jenë ato më të rregulltat. Më saktësisht, institucioni i presidencës, dhe ai i Këshillit të Lartë Gjyqësor kanë pasur vetëm nga 100 mijë lekë detyrime deri më 31 mars të këtij viti. Ministria e Bujqësisë, me “vetëm” 3.6 mld lekë detyrime të prapambetura duket të jetë Ministria më e rregullt në drejtim të pagesave.
Por si janë të klasifikuara këto detyrime të prapambetura? Në vend të parë janë detyrimet e prapambetura rrjedhojë e vendimeve gjyqësore, me rreth 3.7 mld lekë. Ky zë, mban thuajse gjysmën e totalit, ose më saktë, 47.4% të totalit të detyrimeve të prapambetura të institucioneve qendrore, të paktën deri më 31 mars të këtij viti. Më pas ndjekin investimet, me rreth 26% të totalit, ose 2.1 mld lekë.
Edhe zëra si shërbimet apo mirëmbajtja zënë një peshë të konsiderueshme në “faturat” e papaguara të këtyre institucioneve. Zëra si rimbursimi i TVSH, mallra apo sigurimet shoqërore ndërkohë, zënë ndjeshëm më pak hapësirë në listën e borxheve të institucioneve të qeverisë qendrore. Vendimet gjyqësore të papaguara kapin një vlerë prej rreth 5.4 mld lekësh, ose rreth 44 mln euro, së bashku me detyrimet e institucioneve vendore./Burimi: SCAN