
Inflacioni ne prill shenoi 2.1 per qind sipas Eurostat: Me i larte se matjet e INSTAT
Ndryshimi vjetor i çmimeve të konsumit në muajin prill i matur nga metodologjia e Eurostat (IHÇK) shënoi 2.1 për qind.
Treguesi ishte 0.2 pikë përqindje më e lartë se matjet kombëtare të INSTAT. Rritja e çmimeve u udhëhoq nga ushqimet, shërbimet e transportit dhe ato të komunikimit. Rritja më e madhe e çmimeve prej 3,6% vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Transporti” dhe “Komunikimi” me 3,4% secili, “Pije alkoolike dhe duhan” me 2,3%, “Shëndeti” 1,0%, “Argëtim dhe kulturë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,9% secili, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,7% secili, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,3%.
Nga ana tjetër çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” u ulën me 0,1%. Në muajin Prill 2021, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,1%. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Argëtim dhe kulturë” me 1,7%, pasuar nga grupet “Komunikimi” me 1,3%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,4%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,3% secili. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” u ulën me 0,6%, pasuar nga “Shëndeti” 0,5%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, “Shërbimi arsimor” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,1% secili.
Eurostat azhurnon ndryshimet metodologjike në muajin janar të çdo viti. IHÇK shoqërohet me disa ndryshime metodologjike sipas metodologjisë ndërkombëtare të llogaritjes së këtij treguesi, të cilat konsistojnë në përditësimin e peshave, përditësimin e listës së mallrave dhe shërbimeve, përditësimin e listës së njësive tregtare ku mblidhen çmimet. Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) mat ndryshimin e nivelit të çmimeve me pakicë të mallrave dhe shërbimeve nga pikëpamja e strukturës së shpenzimeve të cilat konsumatori (vendas dhe i huaj) synojnë për konsumin final në territorin e Shqipërisë.
IHÇK përdoret për monitorimin e lëvizjes së çmimeve me pakicë në vendet Evropiane, duke krahasuar përqindjen e inflacionit ndërmjet vendeve të Evropës dhe si inflacion zyrtar i Bankës Qendrore Evropiane duke siguruar stabilitetin e çmimeve në Bashkimin Ekonomik dhe Monetar. Në fillim të vitit 2017 për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasueshmëri sa më të mirë me vendet e tjera, në bashkërendim me Eurostat, INSTAT ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK, sipas Rregullores së KE, nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995.
Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin. Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit). Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit IHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin e IÇK.
Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm. Në përfundim, nëngrupi “Fruta-Perime”, ka krijuar 1.3 pikë përqindje ose më shumë se 80% të diferencës së inflacionit të matur sipas dy treguesve (3.84% kundrejt 2.38%). Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë. IÇK-ja përmban 332 zëra; IHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës)./Burimi: Monitor
Më të lexuarat








