Secondary Adv

Avancon projekti 71 mln USD per turizmin: Nderhyrjet e parashikuara per 4 Bashki

Banka Botërore bëri me dije se projekti 71 mln dollarë i turizmit që po financohet prej saj, në mbështetje të katër bashkive ka arritur të përfundojë disa etapa.

 

Në rishikimin e fundit të programit banka merr në analizë katër komponentë ku ndër të tjera bën me dije se po vijon puna për rrugën e aksesit me automjet për në Kalanë e Beratit, përzgjedhja e pikave panoramike në zonat ku po zbatohet projekti si dhe kanë përfunduar anketat me turistët në tre sezone verore. “Komponenti 1. Kontratat e punimeve të rrugës me kalldrëm për hyrjen në këmbë në kalanë e Beratit, ndriçimit rrugor të Përmetit, shkallëve të Sarandës dhe rrugës me kalldrëm të Gjirokastrës tek pazari kanë përfunduar. Punimet e shëtitores së Sarandës filluan në Dhjetor 2019, dhe rreth 90% të punimeve ka përfunduar deri më tani pavarësisht vonesave të shkaktuara nga COVID-19.

 

Afërsisht 45 përqind e punimeve kanë përfunduar për rrugës e aksesit me automjet në Kalanë e Beratit. Punimet për azhurnimin e integruar urban në bashkinë e Përmetit dhe punimet për sistemin e muzeve në bashkinë e Gjirokastrës filluan në mars 2021. Konsulenca e mëparshme për azhurnimin e integruar urbane në bashkinë e Gjirokastrës u ndërpre dhe konsulenca e re filloi në prill 2021. Komponenti 2. Kontrata e mëparshme e konsulencës për pikat panoramike është ndërprerë dhe konsulenca e re filloi në Mars 2021. Konsulenca për rifreskimin e faqeve turistike në ujërat termale Zvernec-Narta dhe Benja është finalizuar.

 

Komponenti 3. Konsulentët kanë dorëzuar raportin përfundimtar të Kërkimit të Tregut dhe Zhvillimit të një Produkti Turistik dhe Strategjia e Tregut për Jugun e Shqipërisë në 4 bashki të zgjedhura. Konsulenca për Zhvillimin e Tregut është mobilizuar në Shtator 2020. Pajisjet për mbetjet e ngurta për stacionin e transferimit të Himarës tashmë janë dorëzuar. Komponenti 4. Konsulenca për mbledhjen e të dhënave primare është në vazhdim.

 

Konsulentët kanë dorëzuar raportet e anketimeve me turistët për sezonet turistike 2018, 2019 dhe 2020” thuhet në dokument. Projekti për integrimin urban dhe zhvillimin e turizmit po zbatohet prej disa vitesh nga qeveria shqiptare me mbështetjen e Bankës Botërore. Ai mbulon katër bashki si Saranda, Gjirokastra, Përmeti dhe Berati duke i asistuar ato në disa aspekte nga ndërhyrjet në infrastrukturat e nevojshme turistike tek kërkimet e tregut, produktet turistike./Burimi: Monitor


Më të lexuarat