Secondary Adv

Kriza ne Greqi pasoja te renda per emigrantet shqiptare

Kriza që po përjeton Greqia dhe ekonomia e lartë informale e cila përbën rreth 30 për qind të GDP-së, rëndon së shumti mbi emigrantët shqiptarë në shtetin fqinj.


Në Greqi papunësia për të rinjtë është rreth 51.1 për qind ndërsa papunësia në shkallë vendi rezulton në masën 25.7 për qind, më e larta ndër vendet e Bashkimit Europian.  Në këto kushte shqiptarët në rastin më të mirë mund të gjejnë punë të cilësisë së ulët, ato vende pune që refuzojnë grekët, si ndërtim, industri e rëndë, bujqësi për burrat dhe mirëmbajtje të shtëpive për femrat.


Një pjesë e madhe e emigrantëve shqiptarë, kanë punuar dhe punojnë në punë informale. Këtë fenomen e dëshmon fakti se sipas të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore greke (IKA) numri i shtetasve shqiptarë të siguruar në 2009 ka qenë 121,902, ndërsa në fund të vitit 2013, numri ka rënë në 85,893.
Ndërkohë që numri real i emigrantëve në këtë vend e kalon 400 mijë. Sipas studimeve të bërë nga ekspertët e fushës, emigrantët shqiptarë përbëjnë 63,7% të totalit të popullsisë emigrante të dokumentuar në Greqi, e ndjekur nga bullgarët, gjeorgjianët, rumunët, rusët dhe ukrainasit.


Të ardhurat nga puna e pa dokumentuar e emigrantëve të huaj, janë vlerësuar se përbëjnë rreth 24% të GDP-së së Greqisë. Kriza greke ka ndikuar ndjeshëm remitancat e tyre. Shuma totale e remitancave për vitin 2014, u ul në 591.8 milion euro, me një rënie prej 28 përqind, por sidoqoftë një shumë e tillë është përsëri e konsiderueshme për ekonominë shqiptare, pasi është  llogaritur që  nëpërmjet remitancave financoheshin rreth 160 mijë familje në nevojë.


Kriza gjithashtu ndikon në humbjen e vendeve të punës për emigrantët shqiptare, probleme me pensionet, pasi duke patur vjetërsi kontributive si në Shqipëri ashtu dhe Greqi, nuk plotësojnë kushtet për përfitimin e pensionit si në Greqi, ku duhen jo më pak se 4500 ditë pune, ashtu dhe në Shqipëri, ku kërkohen 15 vite me vjetërsi kontributive, për të marrë një pension tepër simbolik. Po ashtu mbi 160 mijë emigrantë janë kthyer nga ky shtet vitet e fundit, të cilët janë përballur me probleme të mëdha, si mungesa e strehimit, papunësia, etj.


Më të lexuarat