Nisin shembjet ne Kombinat: Rreth 60 pallate jane planifikuar te prishen
Ka nisur procesi i shembjes së pallatit të dëmtuar nga tërmeti në Kombinat dhe më pas ditën e hënë, 31 maj do të jenë pallatet e tjera 3 katëshe të cilat do shemben.
Përsa i përket pallateve 3 katëshe ka një rezistencë nga banorët të cilët thonë se nuk do ta braktisin banesën e tyre, pasi thonë se nuk kanë marrë një dokument zyrtar se në cilën banesë do të shpërngulen. Deri tani i është dhënë bonusi i qirasë, për të cilin thonë se nuk është i mjaftueshëm për ta dhe duhet që të shtojnë lekë nga xhepi i tyre në mënyrë që të gjejnë një banesë të përshtatshme. Në këtë bllok pallatesh, ky është pallati i 6 që do të shembet nga bashkia e Tiranës pasi nga ekspertët është konstatuar i dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019 dhe duhet të shembet.
Nga burimet mësohet se kjo do të jetë një zonë e gjelbër për banorët e zonës së Kombinatit. Janë mbi 60 pallate në zonën e kombinatit të cilat janë planifikuar të shemben në këtë zonë, gjithsesi pritet një konfirmim dhe numër i saktë për pallatet që do të shembem, raporton gazetarja e Ora News Anxhela Celibashi. Banorët pretendojnë se banesat e tyre kanë qenë të dëmtuara në shkallë DS3 dhe më pas janë bërë DS4. Banorët thonë se kanë marrë një shumë prej 220 mijë lekësh të vjetra si bonus qiraje, por kjo nuk mjafton dhe duhet të shtojnë lekë të tjera për të gjetur banesa të përshtatshme./Burimi: Oranews.tv