Secondary Adv

Objektet qe privatizohen, pronaret dhe qiramarresit do ti blejne 80 per qind me bono

Ish-pronari i truallit që do të përfitojë kompensim financiar duhet të paraqesë në Ministrinë e Financave (Drejtoria e Financës) dokumentacionin ligjor. Kur ish-pronari i truallit është pronar i objektit duke përdorur të drejtën e parablerjes, trualli kalon në favor të tij pa shpërblim.

 

Nëse ish-pronarët e truallit gëzojnë të drejtën që 80% të vlerës së objektit ta paguajnë me letra me vlerë dhe bono privatizimi, ndërsa 20% me lekë cash.Pasuria shtetërore do të vlerësohet nga ekspertët para privatizimit. Një udhëzim mbi kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore i firmosur nga ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj dhe ministri i Financave, Shkëlqim Cani, përcakton se 30% nga të ardhurat e siguruara nga shitja e objekteve, do të përdoren: për pagesën e ekspertëve vlerësues, kontabël dhe ekspertë të tjerë të fushave përkatëse, që përzgjidhen nga ministri i Ekonomisë për përgatitjen e dokumentacionit të vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet.

 

Nga kjo vlerë përballohen edhe të gjitha shpenzimet e tjera që lidhen me procesin e privatizimit të pronës shtetërore. Sipas udhëzimit, vlerësimi i pasurisë shtetërore nga komisioni i vlerësimit, bëhet për çdo element të pasurisë, duke përcaktuar vlerën reale të tregut. Pagesa e ekspertëve do të jetë 2% e vlerës së objektit, apo grup-objekteve të vlerësuara, sipas dokumentacionit të vlerësimit të dërguar për shitje, por në çdo rast kjo pagesë nuk do të jetë më pak se 60 000 lekë dhe jo më shumë se 300 000 lekë.

 

Në rast mospagese nga ana e shoqërisë, atëherë Ministria përgjegjëse për Ekonominë merr përsipër pagesën e ekspertëve, e cila është 2% e vlerës së paketës së aksioneve apo kuotave shtetërore që dalin në privatizim, por gjithmonë kjo vlerë nuk mund të jetë më e madhe se 500 000 lekë. Në çdo rast pjesë e vlerësimit është edhe trualli i objektit që shitet. Dega e shoqërive publike i kërkon Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave konfirmimin nëse për truallin përkatës ka pronarë të njohur apo të kthyer me vendim të komisionit, si dhe çmimin përkatës të truallit ku shtrihet objekti.
 AKKP detyrohet që brenda 10 ditëve t’i dërgojë përgjigjen. Për rastet e shitjes së objekteve për të cilat ka pronar trualli, bëhet publikimi me afishim në ambientet e Drejtorisë së Drejtimit të Pronës Publike, ndërsa dega e shoqërive publike përkatëse (sipas të dhënave të dërguara nga Ministria e Financave) në objekt dhe ambientet e ndërmarrjes që e administron atë.

 

Ish-pronari i truallit që dëshiron të blejë objektin apo çdo subjekt tjetër që në bazë të dokumenteve që disponon, pretendon të ketë pronësi mbi truallin e objektit që privatizohet, duhet të paraqitet pranë Ministrisë së Financave, brenda një afati 20-ditor nga dita e publikimit (afishimit) duke depozituar. Ai duhet të bëjë pagesën prej 20% të vlerës totale të objektit (mjete kryesore + mjete xhiro), pa vlerën e truallit të objektit që kërkon të blejë.

 

Në rast se ish-pronari i truallit (trashëgimtarët e tij) nuk paraqitet për blerjen e objektit që ndodhet në truallin e tij, shitja realizohet me ankand. Vlera e truallit, e përcaktuar sipas hartës së vlerës dhe që ndodhet në dosjen e vlerësimit të objektit, do të përdoret për t’i kaluar drejtpërsëdrejti ish-pronarit./Gazeta  Shqip


Më të lexuarat