Secondary Adv

Perfundon rehabilitimi i rruges se Syrit te Kalter

Përfundojnë punimet e projektit rehabilitues në Zonën e Mbrojtur Syri i Kaltër. Rehabilitimi, është pjesë e një investimi të Ministrisë së Mjedisit me një fond prej 15 milionë lekë.


Ky projekt përfshin infrastrukturën hyrëse të zonës, zgjerimin e rrugës në një gjatësi prej 3 kilometrash, ndërtimin e dy parkingjeve, realizimin e murit mbrojtës në  1.5 kilometra rrugë si edhe hapja e kanaleve kulluese për ujërat sipërfaqësorë, duke sjellë kështu një përmirësim të dukshëm të rrugës që të çon drejt Syrit të Kaltër.


Syri i Kaltër vuante nga mungesa e infrastrukturës, prania e mbetjeve urbane, mjedisi i papastruar nga bimësia e degraduar, të cilat zbehnin bukurinë e kësaj zone të spikatur turistike. Ndërsa sot, falë këtij investimi janë pastruar mbetjet urbane në një sipërfaqe prej 3900 metër katror dhe janë vendosur kosha për hedhjen e mbeturinave në pikat ku fluksi i vizitorëve është më i madh. Gjithashtu janë realizuar 5 mijë metër katror hapje dhe pastrim shtigjesh për kalimtarët, si dhe janë shtuar një urë për këmbësorë dhe 2 kalime shtigjesh ujore.


Syri i Kaltër është burimi më i madh me origjinë karstike dhe një  ndër 18 burimet e Malit të Gjerë me vlera natyrore të rralla. Si një ndër pikat turistike atraktive për turistë vendas dhe të huaj  kjo zonë ka diversitet  biologjik e peizazh të pasur, me një burim me ujëra të freskëta dhe të ëmbla i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim të përhershëm.


"Ministri i Mjedisit dhe qeveria shqiptare do të vazhdojnë edhe gjatë këtij viti me investime të tjera në zona të mbrojtura për t’i kthyer ato në zona të aksesueshme për turistët”, u shpreh ministri Koka, i cili u bëri thirrje të gjithë banorëve dhe vizitorëve të qendrave turistike që të tregohen të kujdesshëm me natyrën dhe mjedisin që frekuentojnë.


Më të lexuarat