UKT hap tenderin: Drejt rehabilitimit diga e Liqenit Artificial te Tiranes
Ujësjellës Kanalizime Tiranë ka shpallur tenderin me objekt: “Studim, projektim e preventivim të rehabilitimit total të digës së Liqenit Artificial të Tiranës”.
Referuar shpalljes së bërë në Agjencinë e Prokurimeve Publike, fondi limit 3 milionë e 422 mijë lekë ndërsa data e mbylljes për pranimin e kërkesave për pjesëmarrje 7 qershor 2021. Diga e Liqenit Artificial të Tiranës është pjesë e Parkut të Tiranës, i cili është shpallur Park Kombëtar. Ndërtimi i kësaj dige është bërë për të krijuar një kompleks atraktiv për banorët e Tiranës. Ajo përbëhet nga këto vepra kryesore: Diga, Vepra e shkarkimit, Ujëlëshuesi, Porta dhe mekanizmat per shkakrimin, Kaperderdhesi i prurjeve te teperta si dhe sifoni i shkarkimit (Mqs eshte bllokuar porta e shkarkimit fundor eshte vendosur sifoni Ø 300 mm çelik per shkarkim).
Diga e Liqenit Artificial të Tiranës është ndërtuar në vitet 1957-1958. Eshtë digë homogjene (dheu), me vëllim të trupit të digës 110 000 m³. Bazamenti i saj është gjysëm shkëmbor (tokë). Lartësia e digës nga kurora deri në pikën më të ulët të gërmimit është 17 m. Ndërsa gjatësia e kurorës së digës është 600m. Diga ka krijuar një rezervuar në nivelin normal 117.25 m të barabartë me 2 560 000 m³ ujë. Sipërfaqja e pasqyrës së ujit është 356 000 m./Burimi: SCAN