Fature shtese per rrugen e Borshit: 134 mln leke te tjera per rehabilitimin
Rruga e Borshit me një investim prej 13.7 mln euro që u shemb pas reshjeve të shiut do t’i kushtojë buxhetit të shtetit më shumë se 134 mln lekë për t’u rehabilituar.
Sipas të dhënave në APP, fituese e kontratës është shpallur kompania Gener 2. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nisur verifikimet në terren për punimet e kryera nga firma Salillari. Rruga e Borshit që ishte ndërtuar dhe ishte në mirëmbajtje nga firma Salillari, por që u ça më pas në mes nga reshjet e shiut, vijon të marrë fonde nga buxheti i shtetit. Sipas të dhënave më të fundit të Agjencisë së Prokurimeve Publike, për këtë qëllim është vënë në dispozicion fondi prej 136 milionë lekësh. Në procedurën për sistemimin emergjent të “Rrëshqitjes së Borshit”, rezulton se ka marrë pjesë vetëm kompania Gener 2, që më pas është shpallur automatikisht edhe fituesja, me vlerën e ofruar prej 134.4 milionë lekë.
Në vitin 2017, kompania “Salillari” ka fituar një kontratë me vlerë 13 milionë euro për mirëmbajtjen e kësaj rruge, me një financim të Shtetit Shqiptar dhe BB. Disa orë reshje dhe gjysma e rrugës nacionale në Borsh u shemb tërësisht, duke e bërë atë të pakalueshme në pjesën më të madhe të saj. Që nga ajo kohë, në këtë aks rrugor nuk lejohet të kalojnë mjetet e tonazhit të rëndë, pasi ka rrezikshmëri të lartë. Pas bërjes publike të lajmit KLSH zbarkoi në terren për të verifikuar situatën dhe ngriti për këtë qëllim një grup pune i cili do të verifikojë të gjithë procedurën e realizuar për punimet e kryera. KLSH bëri me dije gjithashtu se do të kërkohet edhe verifikimi i dokumenteve në ARRSH, si enti përgjegjës./Burimi: OraNews.tv