Faturat e majme te Arbitrazhit vijojne te rriten: Demi potencial mbi 260 mln euro
Teksa Shqipëria përballet me një sërë procesesh në arbitrazh, për një tjetër numër të konsiderueshëm financat vijojnë të paguajnë faturat e dëmshpërblimeve.
Ndonëse nga autoriteti kyç në ndjekjen e këtyre çështjeve siç është Avokatura e Shtetit nuk ka të dhëna fikse mbi vlerën që Qeveria e Shqipëria ka, vijon dhe është dënuar të paguajë pas vendimeve nga gjykatat ndërkombëtare të arbitrazhit, vlera e përllogaritur shkon në mbi 260 milionë euro. Në shtatorin e vitit të kaluar, Shqipëria humbi një tjetër përballje në arbitrazhin ndërkombëtar, përballë bashkimit të shoqërive Copri dhe AKTOR dhe vlera e detyrimit shkon në 45 milionë dollarë. Po atë muaj kompania Kurum paditi Shqipërinë në arbitrazh ndërkombëtar, duke kërkuar një dëmshpërblim me vlerë të raportuar prej 100 mln euro për prishjen e kontratës së terminalit të kontejnerëve në portin e Durrësit.
Çështja kundër Shqipërisë u regjistrua në 23 shtator në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjes së Investimeve, ICSID, në Uashington. Nja ana tjetër, prishja e njëanshme e kontratës me “Dondi, Itali & Kubota, Japoni” për projektin e “Përmirësimit të sistemit të kanalizimeve të Tiranës së Madhe” në vitin 2018, mund t’i kushtojë Buxhetit të Shtetit rreth 90 milionë euro. Konstatimi erdhi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin e zbatimit të Buxhetit të Shtetit në vitin 2018.
Nisur edhe nga kjo çështje, në 29 dhjetor 2020, Avokatura e Shtetit njoftoi se po kërkonte një studio ligjore të huaj për të mbrojtur Shqipërinë në përballjen me paditësit. Përveç faturave të majme në shlyerjen e dëmshpërblimeve, Shqipëria vijon të paguajë shuma të konsiderueshme ndaj studiove të avokatisë për të mbrojtur interesat e kësaj të fundit në përballjet në gjyqet ndërkombëtare të arbitrazhit./Burimi: A2CNN