Projekti i BB per sigurine e digave: Rifillojne nderhyrjet ne Fierze dhe Koman
Banka Botërore bëri rishikimin e fundit të ecurisë duke nënvizuar se tashmë kanë rifilluar punimet në pjesët e mbetura në hidrocentralin e Fierzës dhe Komanit.
Sipas raportit punimet nisën në muajin prill pas përfundimit të asaj që njihet si periudhë e reshjeve dhe kur shfrytëzimi i kapacitetit prodhues në kaskadë është në maksimum. Në total projekti ka një financim prej 66 milionë dollarësh të përberë nga dy komponentë ku të paktën 54.81 milionë USD janë për investime fizike në hidrocentrale. “Pas fillimit të punimeve në janar 2019, kontraktori për rehabilitimin e tuneleve të shkarkimit, Ciltug nga Turqia po përparon rehabilitimin e tuneleve në të dy HEC-et. Progresi i zbatimit të projektit deri më tani është i kënaqshëm.
Punimet e rehabilitimit kanë përfunduar në elementët e mëposhtëm: (i) Në HEC Fierza – Punimet e rehabilitimit në tunelin e shkarkimit numër 3 përfshirë portal izoluese dhe ato radiale kanë përfunduar në shtator 2020. Streha e re në zonën e portës (dhoma e kontrollit) u kompletua në shkurt 2021. Testi i ri i suksesshëm u zhvillua në mars 2021 duke arritur një hapje 100 për qind që do të thotë kapacitet shkarkimi 100 për qind. Tuneli i shkarkimit numër 3 tashmë i është dorëzuar KESH-it.
Në hidrocentralin e Fierzës punimet rehabilituese në tunelin shkarkues numër 4 janë kompletuar për portën izoluese numër 4 në (dhjetor 2020) dhe kjo pjesë i është dorëzuar sërish KESH. Punimet për portën radiale numër 4 rinisën në prill 2021 pas sezonit të lagështirës. Kompletimi i saj pritet në tetor 2021. Në hidrocentralin e Komanit, punimet rehabilituese në tunelin shkarkues numër 3 janë kompletuar për pjesën hermetike numër 3 dhe kjo i është dorëzuar KESH. Punimet në portën radiale 4 rifilluan në prill 2021 dhe përfundimi pritet në tetor 2021.
Në hidrocentralin e Komanit rehabilitimi i tunelit numër 4 (përfshirë portën izoluese dhe atë radiale ) janë kompletuar në tetor 2020. Testi i suksesshëm u mbajt gradualisht duke arritur kapacitetin 100 për qind në hapje. Ky tunel shkarkues iu dorëzua KESH” thuhet në dokumentin e Bankës. Projekti për sigurinë e digave ka nisur që prej vitit 2008 kur u aprovua nga Bordi i Bankës Botërore për herë të parë. Ai u zgjat edhe me një fazë të dytë pavarësisht se data origjinale e përfundimit ishte në vitin 2013. Data e re e mbylljes së projektit është 31 dhjetori 2021./Burimi: Monitor