Secondary Adv

Vrulli i ndertimeve mban kostot ne vendnumero: Ja sa eshte rritja vjetore

Sektori i ndërtimit është përfshirë në zhvillime të vrullshme prej rindërtimit të pasojave të tërmetit dhe banesave në Tiranë, por kostot po rezistojnë të rriten.

 

Sipas të dhënave të INSTAT, Indeksi i Kushtimit në Ndërtim, në tremujorin e parë 2021 shënoi rritje vjetore me 0,6 %, në krahasim me tremujorin e parë 2020. Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Kosto të tjera” me 0,9 %, pasuar nga grupet “Shpenzime makinerie” me 0,8 %, “Shpenzime për paga” me 0,5 %, “Shpenzime transporti” me 0,4 % dhe “Shpenzime materiale” me 0,3 %. Brenda grupit “ Shpenzime materiale”, indeksi i nëngrupit “Materiale elektrike dhe komunikimi” shënoi rritjen më të lartë me 1,5 %.

 

Në tremujorin e parë 2021 ndryshimi tremujor i indeksit të kushtimit në ndërtim shënoi rritje me 0,9 %. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2020, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Kosto të tjera” me 2,2 %, pasuar nga grupet “Shpenzime transporti” me 1,9 %, “Shpenzime për paga” me 1,8 % dhe “Shpenzime materiale” me 0,9 %. Ndërsa, ulje ka shënuar grupi “Shpenzime makinerie” me 0,8 %. Indeksi i Kushtimit në Ndërtim (për Banesa) (IKN) mat ecurinë e çmimeve të materialeve të ndërtimit, të fuqisë punëtore dhe të shpenzimeve të tjera kapitale që përdoren në ndërtimin e një banese tip (8 – 10 kate).

 

Peshat e shportës së materialeve janë llogaritur duke u bazuar në preventivat e shpenzimeve për ndërtimin e një banese shumëkatëshe marrë nga firmat e ndërtimit. Shporta e re përbehet nga 71 zëra nga të cilat 66 janë materiale ndërtimi. Çmimet për materialet e ndërtimit mblidhen nga 217 distributorë dhe shitës me shumicë të materialeve të ndërtimit. Ndërsa, të dhënat për shpenzimet për pagat, makineritë dhe transportin merren nga 85 ndërmarrje të mëdha ndërtimi të përqendruara kryesisht në rrethin e Tiranës.

 

Indeksi e Kushtimit në Ndërtim, mat ndryshimet në shpenzime për materiale, shpenzime për paga, shpenzime për makineri, shpenzime transporti, shpenzime për energji dhe Shpenzime të tjera. Të dhënat nga terreni tregojnë për një rritje të ndjeshme të çmimeve në lëndët e para. Çmimi i një tullë është dyfishuar brenda një viti duke arritur në mbi 60 lekë nga rreth 30 lekë që ishtë në fillim të vitit 2020. Gjithashtu çmimi i hekurit është rritur së paku me 30 për qind që nga tremujori i parë i vitit 2021.

 

Sektori i ndërtimit pritet të vijojë rritjen edhe gjatë periudhës në vijim për shkak të lejeve të dhënave në tremujorin e parë 2021. Sipas lejeve që i takojnë tremujorit të parë do të ndërtohen 599,446 metër katrorë në të gjithë vendin me një rritje 80% në raport me vitin 2020, por 73.7% e kësaj sipërfaqeje do të ndërtohet në Tiranë. Në kryeqytet sipërfaqja e re është dyfishuar. Në janar-mars 2021 është autorizuar të ndërtohen 442,152 metër katrorë, me një rritje 155% në raport me tremujorin e parë të vitit 2020./Burimi: Monitor 


Më të lexuarat