
Licencat ne sektorin e energjise elektrike: ERE ndryshon rregulloren
ERE ka bërë disa ndryshime në rregulloren për procedurat, afatet, modifikimin, transferimin, rinovimin ose heqjen e licencave në sektorin e energjisë elektrike.
Referuar ndryshimeve të bëra propozohet që tashmë fatura subjekteve aplikuese t’ju dërgohet në mënyrë elektronike dhe nëse ajo nuk bëhet brenda afateve aplikimi të mos merret në shqyrtim. “Aplikuesi plotëson formatin përkatës sipas Aneksit A të kësaj rregulloreje, dhe e depoziton atë në ERE, së bashku me dosjen e aplikimit. Në bazë të specifikimeve të plotësuara në Aneksin A, struktura përgjegjëse për financat në ERE i dërgon elektronikisht faturën përkatëse aplikuesit. Në rast se aplikuesi nuk kryen pagesën, aplikimi i tij nuk merret në shqyrtim. Nga dita që aplikuesi kryen pagesën, Bordi i ERE merr vendim për fillimin ose jo të procedurës brenda 12 ditëve pune.
Pagesa e aplikimit është e pakthyeshme” thuhet në dokumentin e nxjerrë për konsultim sa i takon dnryshimeve në pikën 2 të nenit 8. Në të njëjtin nen por këtë herë në pikën 5 përcaktohet sesi duhet të jetë dokumentacioni në aspektin e hartimit. Sipas ERE dokumentacioni teknik sipas tipit të licencës duhet të jetë i hartuar dhe sigluar nga individ apo person juridik i pajisur me licencë profesionale përkatëse sipas legjislacionit ne fuqi (ing. elektrike, ing. ndërtimi, ing. mekanike, ekspertë kontabël, ing. hidroteknikë etj). Dokumentacioni që depozitohet në formën e deklaratës nga shoqëria, duhet të jetë i sigluar dhe vulosur sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.
Sa i takon dokumentacionit i cili në rregulloren në fuqi ndahet në disa aspekte mes formularit që plotësohet, të dhënat elementare të aplikuesit, dokumentacionit financiar e fiskal apo dokumentacionit teknik përfshin edhe dokumentacionin juridik. Lidhur më këtë të fundit është bërë një ndryshim në germën (d) të dokumentacionit. Në këtë rast kërkohet një vërtetim që shoqëria dhe administratori/administratorët e saj, nuk janë të përfshirë në një proces penal të filluar nga organet e drejtësisë (vërtetim nga prokuroria dhe gjykata).
“Këto vërtetime do të paraqiten për selinë qendrore dhe çdo vend tjetër të ushtrimit të aktivitetit të shoqërisë, që lidhet, sipas rastit, me ushtrimin e veprimtarisë për të cilën kërkon të licencohet subjekti, apo me veprimtarinë e licencuar. Në rast se shoqëria do të caktojë një përfaqësues ligjor, ajo duhet të depozitojë prokurën ose autorizimin përkatës për përfaqësimin, si dhe vërtimet (nga prokuroria dhe gjykata) që përfaqësuesi ligjor nuk është i përfshirë në një proces penal të filluar nga organet e drejtësisë” nënvizon drafti i ri.
Lidhur me ruajtjen e kofidencialitetit për informacionin që dorëzohet në ERE rregullorja parashikon një ndryshim në pikën 12 të nenit 9 ku nënvizon se me kërkesë me shkrim, aplikuesi mund të kërkojë që të mbahen konfidenciale informacione ose dokumente të depozituara prej tij në kuadër të aplikimit, që mund t’i shkaktojnë atij dëm tregtar. Ky dokumentacion duhet të specifikohet të prej tij, së bashku me arsyet e mosbërjes publike. Përndryshe konsiderohet se kërkuesi nuk e kërkon një kufizim të tillë. Kjo kërkesë, në zbatim të përcaktimeve të legjislacionit në fuqi mbi informacionin konfidencial dhe të drejtën e informimit, do të mbahet në konsideratë në vijim, në rast të interesit të palëve të treta për të aksesuar dokumentacionin e aplikimit.
Në nënin 16 draftrregullorja parashikon që në rast se i licencuari nuk paraqet në ERE aplikim për rinovimin e licencës, brenda afatit, ose ERE merr vendim për refuzimin e kërkesës së të licencuarit për rinovim të licencës, kjo e fundit e humbet vlefshmërinë me përfundimin e afatit të kohëzgjatjes së saj dhe hiqet nga regjistri i të licencuarve të ERE. Në këto rrethana, në rast të interesit për të ushtruar sërish veprimtarinë, duhet të paraqitet aplikim për licencim nga e para, sipas përcaktimeve të kësaj rregulloreje./Burimi: Monitor
Më të lexuarat








