Borxhi i jashtem u rrit ndjeshem ne 2021: Ne mars arriti ne 8.8 mld euro
Nga janari deri në fund të marsit borxhi i jashtëm i vendit është rritur me 297 milionë euro krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2020, njofton Banka e Shqipërisë.
Konkretisht në fund të muajit mars stoku i borxhit të jashtëm arriti në 8,852 miliardë euro nga 8,555 miliardë euro që ishte në fund të dhjetorit 2020 dhe rritja është më e madhe krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2020, kur pandemia ishte në nisje të saj. Në total për periudhën janar-mars 2020 borxhi ishte 8,198 miliardë euro, me një rritje prej 654 milionë eurosh. Rritja e shpejtë e borxhit jashtëm e regjistruar në prag të zgjedhjeve elektorale të 25 prillit, erdhi edhe si pasojë e dy kredive të marra tek ndërkombëtarët.
Konkretisht janë 200 milionë euro hua të marra gjatë këtij tremujori më shumë se në tremujorin e fundit të vitit që shkoi. Shqipëria është ndër vendet me rritjen më të lartë të borxhit në rajon për shkak të pandemisë COVID-19, por pavarësisht kësaj situate Ministria e Financave është zotuar për të nisur uljen e tij brenda këtij viti dhe për ta ulur në nivel minimal (60%)brenda vitit 2023.