
Mbyllet takimi Kurti-Vucic: 4 propozimet e Kosoves per dialog me Serbine
Kosova ka paraqitur katër propozime në dialogun me Serbinë në takimin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pasur me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Ky takim është mbajtur me ndërmjetësim të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, dhe emisarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Pak orë më parë ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ky ka qenë takimi i parë i tyre në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit ka renditur pikat që ka propozuar në dialog.
Shefi i Qeverisë së Kosovës ka thënë se ka bërë propozim për marrëveshjen për tregti në Evropën juglindore, që të nënshkruhet menjëherë një marrëveshje e paqes mes dy shteteve, që pas njohjes të ketë reciprocitet bilateral për pakicat dhe që për çështjen e të pagjeturve, nga delegacioni serb të hiqen njerëzit që ishin në funksione në kohën e udhëheqjes së Serbisë nga ana e Sllobodan Milosheviqit. Ai ka thënë se tri nga to janë refuzuar nga Serbia, ndërsa për njërën s’ka marrë përgjigje. Kurti ka bërë të ditur që takimi i radhës në kuadër të dialogut mes dy shteteve do të zhvillohet para pushimit të verës, që nis në fund të muajit korrik.
“Për propozimin tim të parë nuk u përgjigjën, ndërkaq tri propozimet e tjera i refuzuan. Shpresoj që kur të kthehen në Beograd, z. Vuçiq dhe z. Selakoviq, të mendojnë më shumë dhe ta konsiderojnë seriozisht pranimin e këtyre propozimeve”, ka thënë Kurti për gazetarët pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Kurti ka thënë se “nuk është se s’është optimist” për dialogun, por ka shtuar se përderisa “Serbia nuk e pranon Kosovën, as Kosova nuk e pranon Serbinë”. “Ky ishte një takim në të cilin u ruajt distanca fizike. Pra ishim më shumë se dy metra larg njëri-tjetrit dhe mund të them që për bindjen time s’kishte shumë befasi.
Por unë prezantoj interesat e Republikës së Kosovës, të drejtat e popullit të Kosovës dhe në veçanti përpiqem që procesi të ketë parime. Vetëm në atë mënyrë është i qëndrueshëm. S’mund t’i pyesim shqiptarët për çerekfinormacion që kanë për varrezat masive në Serbi kur shumë lehtë mund t’i pyesim në Serbi. Edhe pse presidenti thotë se nuk di gjë, ka të tjerë që i dinë. Le t’i pyesim. Në Bosnje e Kroaci ka qenë e mundshme të thuhet se serbët e atjeshëm kanë qenë pjesëmarrës, në Kosovë s’kanë qenë askund krimet joshtetërore. E vërteta për krimet e Serbisë së Milosheviqit në Kosovë ndodhet në Beograd.
Ne bëjmë thirrje që këta persona që janë gjallë e që ishin në pushtet në atë kohë të hiqen nga pozitat në Serbi e të merren në pyetje për të vërtetën kriminale të Serbisë”. Ai ka thënë se Kosova ka nisur përgatitjet për paditjen e Serbisë për gjenocid, duke shtuar se ajo do të marrë kohë për përgatitje. Ka shtuar se Kosova s’lejon Asociacion njëetnik. “Pushteti në Serbi dueht ta fajësojë fajtorin. E ka pasur të okupuar Kosovën dhe e ka humbur shekullin e kaluar nën regjimin e Milosheviqit. Duhet të mos vajtojnë, por të bashkëpunojnë me ne për njohje në Ballkan. S’mund të merremi me ide të vjetra, por i ftojmë që të merren me propozime tona të reja”, ka thënë më tej Kurti.
Katër propozimet e Kurtit për Vuçiqin
1. Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avanojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në.
2. Kosova dhe Serbia menjëherë të nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty.
3. Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.
4. Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq./Burimi: Monitor
Më të lexuarat








