
Eksportet tejkalojne nivelin e parakrizes: Dobet vetem tekstilet e kepucet
Eksportet kanë vijuar të shënojnë një rritje të fortë edhe në muajin maj, duke rikuperuar humbjet që shënuan në të njëjtët muaj të një viti më parë.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në Maj 2021 eksportet e mallrave arritën vlerën 33 mld lekë, duke u rritur me 52,7%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 14,5%, në krahasim me Prill 2021. Edhe në krahasim me majin 2019, eksportet janë në rritje me 18.4%, duke i arritur dhe tejkaluar me shpejtësi nivelet e para krizës. Për 5 mujorin, eksportet u rritën me 38.6% me bazë vjetore, duke arritur në 141.8 miliardë lekë. Edhe në raport me 5 mujorin 2019, tendenca është sërish në zgjerim, me +11.8%. Me përjashtim të tekstileve e këpucëve, grupet e tjera, po rriten me shpejtësi, duke i tejkaluar nivelet e para krizës. Ecurinë më të mirë po e shënojnë eksportet e metaleve, si rrjedhojë e kërkesës së fortë dhe shtrenjtimi të ndjeshëm të çmimeve.
Tekstilet e këpucët mbeten poshtë nivelit të parakrizës
Tekstilet dhe këpucët, grupi kryesor eksportues në vend (me 32% të totalit), vijojnë të vuajnë pasojat e karantinave të reja të Europës. Ndonëse me rritje prej 17.6% për 5 mujorin në raport me janar-maj 2020, shitjet e këtij grupi vijojnë të mbeten 11.6% më të ulëta në raport me 5 mujorin normal të 2019-s.
Eksportuesit pohojnë se sektori po vuan nga mungesa e porosive të reja, si rrjedhojë e krijimit të stoqeve gjatë karantinës së zgjatur. Megjithatë rihapaj graduale e Europës me fillimin e verës ka rritur shpresat për sektorin. Gjithsesi, eksportuesi parashikojnë një situatë të vështirë për sektorin deri në fund të vitit, ku më e lartë rënia e kërkesës ka qenë për industrinë e këpucëve.
Rritje e fortë e materialeve të ndërtimit e metaleve
Eksportet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve, grupi i dytë më i madh eksportues në vend (me 20% të totalit) vijuan ecurinë pozitive edhe në maj. Për 5 mujorin, eksportet e këtij grupi u rritën me 100.9%, ndërsa janë 37% më të larta edhe se janar-maj 2019-a. Prodhuesi i çelikut, Kurum, që është eksportuesi më i madh në vend po mundohet t’i përgjigjet një kërkese që është në nivele rekord, si në tregun e brendshëm ashtu dhe të jashtëm, dhe ndërkohë çmimet e metaleve në bursat ndërkombëtare po shënojnë rritje.
Rritje edhe në grupet e tjera
E njëjta tendencë pozitive ka vijuar edhe për mineralet, Lëndët djegëse e energjinë, që është rritur me 76.4% për 5 mujorin në raport me 2020-n, dhe 38.5% në krahasim me të njëjtën periudhë 2019. Eksportet drejt Spanjës, që është tregu kryesor i kompanisë prodhuese të naftës, Bankers Petroleum vijuan rritjen e fortë edhe në maj, të ndihmuara dhe nga shtrenjtimi i naftës në bursa dhe gjallërimi i kërkesës pas heqjes graduale të kufizimeve.
Grupi i ushqime pije dhe duhan ka vijuar tendencën pozitive të nisur prej tre vitesh, duke u zgjeruar me 13.7% për 5 mujorin. Ky grup ishte më pak i ndikuari nga kriza. Megjithatë në maj të këtij viti, eksportet ishin pak më të ulëta edhe se në maj 2020, kur ekonomia globale ishte në ngërç prej karantinës. Me ecuri pozitive ishin dhe makineritë pajisjet e pjesët e këmbimit, shitjet e të cilit u rritën me 25.8% në raport me 5 mujorin 2020 dhe 28.8% në raport me të njëjtën periudhë 2019.
Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve:
Sipas INSTAT, gjatë muajit Maj 2021, në rritjen e eksporteve prej 52,7 %, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +18,6 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +18,0 pikë përqindje dhe “Tekstile dhe këpucë” me +7,1 pikë përqindje. Ndërsa grupi “Ushqime, pije, duhan” ka ndikuar negativisht me -0,2 pikë përqindje. Gjatë muajit Maj 2021, rritja e eksporteve prej 24,1 %, krahasuar me mesataren mujore të tre viteve (2018- 2020), është ndikuar nga grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +9,9 pikë përqindje, Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +7,7 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +4,0 pikë përqindje.
Eksportet, gjatë këtij pesëmujori janë rritur me 38,6 %, krahasuar me një vit më parë. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të eksporteve, janë: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +13,7 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +11,6 pikë përqindje dhe “Tekstile dhe këpucë” me +6,7 pikë përqindje. Negativisht ka ndikuar grupi: “Prodhime druri dhe letre” me -0,03 pikë përqindje.
Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të importeve:
Gjatë muajit Maj 2021, në rritjen e importeve prej 38,4 %, krahasuar me Maj 2020, kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +8,7 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +7,5 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me +5,4 pikë përqindje. Ndërsa grupi “Prodhime druri dhe letre” ka ndikuar negativisht me -0,1 pikë përqindje. Gjatë Maj 2021, rritja e importeve prej 15,7 %, krahasuar me mesataren mujore të tre viteve (2018-2020), është ndikuar kryesisht nga grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +3,9 pikë përqindje, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +3,4 pikë përqindje, ”Produkte kimike dhe plastike” me +3,1 pikë përqindje.
Si pesëmujor, importet janë rritur me 30,9 %, krahasuar me pesëmujorin e parë 2020. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në rritjen vjetore të importeve, janë: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +10,2 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +5,4 pikë përqindje, Produkte kimike dhe plastike” me +5,0 pikë përqindje
Ecuria e tregtisë së mallrave sipas vendeve partnere
Në muajin Maj 2021, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Maj 2020 janë: Italia (45,4 %), Kosova (102,0 %) dhe Spanjë (5,2 herë). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Kina (27,7 %), Mbretëria e bashkuar (59,7 %) dhe Ukraina (85,7 %). Gjatë këtij pesëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (32,5 %), Kosova (72,2 %) dhe Spanja (30,2 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Mbretëria e Bashkuar (29,4 %) dhe Ukraina (35,5 %).
Në muajin Maj 2021, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Maj 2020 janë: Italia (41,9 %), Turqia (51,4 %) dhe Greqia (5,7 herë). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Zvicra (34,1 %) dhe Ukraina (69,2 %). Gjatë këtij pesëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (44,2 %), Turqia (52,8 %) dhe Kina (38,3 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Rusia (15,3 %), Zvicra (15,5 %) dhe Ukraina (32,0 %)
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 61,5 %, të gjithë tregtisë. Në Maj 2021, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 69,9 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 56,9% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (32,1 %), Turqia (7,3 %), Greqia (6,7 %) dhe Gjermania (6,1 %). Shkëmbimet tregtare, për katërmujorin e parë 2021, me vendet e BE-së zënë 62,2 % të gjithë tregtisë. Në periudhën Janar – Maj 2021, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 73,1 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 56,8 % të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (31,9 %), Turqia (7,6 %), Greqia (7,0 %) dhe Kina (6,7 %)./Burimi: Monitor
Më të lexuarat








