Raporti i Moodys: PPP rrezik fiskal, varesi e larte e qeverise shqiptare ndaj tyre
Moody`s në raportin vjetor për Shqipërinë i jep rëndësi të veçantë rreziqeve fiskale, pavarësisht se sqaron se korniza në këtë drejtim është forcuar, por rreziqet mbeten të larta.
Skemat e Partneritetit Publik privat (PPP), marrin një vëmendje të posaçme në këtë aspekt. “Varësia e lartë ndaj PPP-ve për të nxitur investimet përfaqëson rreziqe fiskale”-nënvizon Moody`s në raportin për vendin tonë. Gjithsesi, agjencia nënvizon edhe se, gjatë dy viteve të kaluara, atë 2019 dhe 2020, sasia e projekteve të tilla me partneritet privat ka qenë ndjeshëm më e ulët se në vitin 2018. Në 2019 këto projekte kapnin vlerën e vetëm 2.5 milionë dollarëve dhe në 2020-ën në 43.2 milionë dollarë. Në 2018-ën ndërkohë, ishin plot 530 milionë dollarë.
“Në një kohë që Shqipëria përballet me hendeqe të mëdha në infrastrukturë krahasuar me vendet e vlerësuara krah saj në rajon, shkalla e PPP-ve, e bashkuar me mungesën e një kornizë rregullatorë të forte, si dhe me praktikën e ofertave të pakërkuara është burim i rreziqeve fiskale”-nënvizon Moody`s. Sa i përket ofertave të pakërkuara, agjencia nënvizon faktin se amendimi i ligjit të PPP-ve në 2019 sa i përket kësaj çështje, nuk e ka zgjidhur atë, duke e kufizuar dhe jo duke e eleminuar plotësisht këtë praktikë./Burimi: Scan