Secondary Adv

Bizneset ne Kosove ende nen hijen e pandemise: Ndihmat e Qeverise te pamjaftueshme

Sektori i gastronomisë dhe hotelerisë, thonë se dëmet e shkaktuara nga pandemia akoma janë të parikuperueshme dhe se ndihmat nga Qeveria janë të pamjaftueshme.

 

Që nga fillimi i muajit qershor, sektorit të gastronomisë iu është zgjatur orari i punës deri në ora 23:00. Ndërsa, më 15 qershor, janë hapur sallat e dasmave. Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, tha se presin që veprimtaria e tyre të rritet në një shkallë më të lartë pasi ka qenë sektori më i atakuar. Më tej, ai tha se 220 milionë euro të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike ende nuk janë ndarë, dhe shpreson që së paku 20 milionë të shpërndahen për këtë sektor. Më tej, Sogojeva tha se numri i turistëve dhe qytetarëve për të frekuentuar vendet e ndryshme të Kosovës ka filluar të rritet, dhe në këtë drejtim janë të kënaqur. Në anën tjetër, njohësi i çështjeve ekonomike, Erton Begat, tha se këta sektorë nuk kanë pasur mbështetjen e duhur dhe ato ndihma të dhëna nuk kanë qenë reale.

 

“Gastronomia si sektori më i prekur nga masat për parandalimin e pandemisë, e ka vuajtur më shumë për një periudhë më shumë se 1-vjeçare, fatkeqësisht nuk ka pasur suportin e duhur nga shteti sepse masat dhe ndihmat ekonomike të cilat janë bërë për ta nuk kanë qenë ndihma reale por kanë qenë kryesisht një lloj sociali që iu është ofruar atyre, duke e pasur parasysh që edhe si sektor është i pafiskalizuar dhe i paformalizuar, nuk e kanë numrin e saktë të punëtorëve të deklaruar, dhe as numrin e saktë të qarkullimit, prandaj edhe shteti ka pasur vështirësi në këtë aspekt”, tha Bega.

 

Ai thotë se përpos papunësisë në vend, nga hulumtimet e nxjerra 80% e punëtorëve nuk janë të deklaruar, andaj edhe humbja reale e këtyre vendeve të punës prapë do të jetë e vështirë të përcaktohet. “Krahas papunësisë së lartë që kemi në vend, hulumtimet e organizatave ndryshme ndërkombëtare tregojnë për një punësim joformal, i cili është kryesisht në sektorin e gastronomisë dhe ndërtimit. Prandaj humbja reale e këtyre vendeve të punës prapë do të jetë e vështirë të përllogaritet saktë, por nga hulumtimet shihet se 80% e punëtorëve nuk janë të deklaruar”, theksoi tutje ai.

 

Dëmet janë aq të mëdha, sa që edhe ballafaqimi si ekonomi në vend ndikon, thotë Bega. “Sigurisht që dëmet janë shumë të mëdha, janë të pallogaritshme zyrtarisht për shkak të mungesës së formalizmit të bizneseve dhe nëse ndalemi vetëm tek punësimi shohim që numri i punëtorëve i deklaruar nga ky sektor është shumë i vogël në raport me atë që shohim çdo ditë në kafeteri dhe restorante të ndryshme”.

 

“Dëmet janë shumë të mëdha, dhe po ashtu ne jemi ballafaqua si ekonomi edhe me atë që qeveritë nuk kanë punuar në strategji dhe me qëllime të sakta që ta shfrytëzojnë këtë krizë për të riorganizuar dhe nxitur ekonominë qoftë në aspektin e rritjes së konsumit apo rritjes së prodhimit. Andaj do të duhet kohë të kthehemi në atë situatë që kemi qenë”, përfundoi Bega. E jo më mirë nuk kanë qenë edhe bizneset e vogla, të cilët kanë punuar me orar të shkurtuar dhe një kohë nuk kanë punuar fare, dhe dëmet e tyre janë duke i përjetuar akoma./Burimi: GazetaEkspress.com


Më të lexuarat