
Ndertimi shpeton buxhetin e Tiranes ne 2020: 44 per qind e te ardhurave nga lejet
Bashkitë në pothuajse të gjithë vendin kanë ndier presionin e pandemisë në vitin 2020, duke ulur të ardhurat e veta nga taksat dhe tarifat.
Për rajonet që u goditën nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, pasojat kanë qenë edhe më të rënda. Më lehtë e ka kaluar krizën Bashkia e Tiranës, e cila, vitet e fundit, e ka rritur ndjeshëm varësinë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, e lidhur me rritjen e sipërfaqeve të lejeve të ndërtimit. Në vitin 2020, bashkitë u gjendën të papërgatitura për një emergjencë të këtij lloji dhe përmase, çka preku ndjeshëm financat e tyre. Në kahun e të ardhurave, 61 bashkitë në vend vlerësohet të kenë pasur më shumë mjete financiare në dispozicion për të ushtruar funksionet dhe kompetencat për të cilat ato janë përgjegjëse, vlerësohet në Raportin e Financave Publike Vendore 2020, një publikim i Co-plan.
Megjithatë, përballimi në terma financiarë i efekteve të pandemisë duket të jetë mbuluar me fonde, të cilat u transferuan nga qeveria qendrore në trajtën e transfertave ndërqeveritare (transferta të kushtëzuara dhe të pakushtëzuara). Në të kundërt, të ardhurat e mbledhura nga burimet e veta vendore vlerësohet të jenë ndikuar negativisht në vijim të fatkeqësive natyrore, duke shënuar rënie vjetore. Ndër faktorët që mund të kenë çuar në rënien e të ardhurave nga burimet e veta vendore mund të renditen: përkeqësimi i gjendjes financiare të bizneseve dhe të familjeve që mund të ketë përcaktuar mospagesa, hyrja e masave fiskale lehtësuese për kategoritë në nevojë, zhvendosja në kohë e pagesave për detyrimet vendore etj.
Nevojat për shpenzime në vitin 2020 u intensifikuan ndjeshëm në tre drejtime: përshtatja në mënyrën e ofrimit të shërbimeve nën kushtet e kufizimeve të vendosura prej COVID-19, mbështetjes së menjëhershme të shtresave në nevojë me produkte dhe shërbime bazike, përshtatja e burimeve njerëzore nën varësinë e bashkisë, me një mënyrë të re të punuari. Për pasojë, shpenzimet korrente vijuan të rriten në terma vjetorë dhe gërshëra u vendos tek investimet. Bashkitë i sigurojnë burimet e veta në dispozicion nga dy drejtime. Së pari, të ardhurat e veta, kryesisht nga taksat dhe tarifat dhe së dyti, nga transfertat e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara që merr nga qeveria.
Sipas raportit të Financave Publike Vendore, në fund të vitit 2020, të ardhurat nga burimet e veta vendore përfaqësuan rreth 26.6% të burimeve financiare totale, vlerë kjo lehtësisht nën mesataren afatgjatë (prej rreth 26.8%). Në terma nominalë, 61 bashkitë në vend mblodhën rreth 24.2 miliardë lekë në vitin 2020, në rënie me rreth 5.3% krahasuar me nivelin e mbledhur në vitin 2019. Sipas raportit, në terma historikë, ky është frenimi i parë i shënuar në të ardhurat nga burimet e veta vendore që prej vitit 2016. Përjashtuar Bashkinë e Tiranës (e cila përfaqëson rreth 57.7% të të ardhurave nga burimet e veta vendore të vitit 2020), rënia e shënuar në të ardhurat nga burimet e veta vendore të 60 bashkive thellohet më tej, në rreth 12.2% në terma vjetorë.
Varësi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë
Raporti vlerëson se, ndonëse në terma të përgjithshëm, të ardhurat nga taksat vendore rezultojnë të kenë shënuar zhvillime pozitive, një vështrim i hollësishëm mbi elementet përbërëse nxjerr në pah dobësitë afatgjata apo varësinë ndaj një numri të kufizuar taksash. Në tre vitet e fundit, performanca e të ardhurave nga taksat vendore është përcaktuar nga dy elemente: taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja dhe taksat mbi pasuritë e paluajtshme (ndërtesa, tokë bujqësore, truall). Ndërkohë që pesha e kësaj të fundit është tkurrur, pesha e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtime të reja është rritur me ritme të përshpejtuara.
Në vitin 2020, këto dy lloje taksash përfaqësuan 85.7% ndaj totalit të të ardhurave nga taksat vendore. Në të kundërt, pesha dhe kontributi i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël dhe i taksave të tjera vijuan tkurrjen edhe në vitin 2020. Të hyrat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, sipas raportit, vazhdojnë të përfaqësojnë një burim të rëndësishëm në buxhetin vendor. Në vitin 2020, të ardhurat nga kjo taksë përfaqësuan rreth 52.2% ndaj totalit të të ardhurave nga taksat vendore, rreth 32.8% ndaj totalit të të ardhurave nga burimet e veta vendore dhe u vlerësuan në rreth 0.5% të PBB-së nominale.
Zgjerimi i peshës së këtij zëri në buxhetet vendore vlerësohet të jetë ndikuar ndjeshëm nga zbatimi i PPV nëpërmjet lejeve të ndërtimit për ndërtesa të reja, veçanërisht në tre vitet e fundit: në vitin 2018, u dhanë 1,194 leje, në vitin 2019, rreth 1,094 leje, dhe për gjashtë muajt e parë të vitit 2020 ishin 393 leje. Zbatimi i Planeve të Përgjithshme Vendore (PPV) nëpërmjet lejeve të reja të ndërtimit, nga një anë, ndikon pozitivisht në rritjen e të ardhurave nga TNI për bashkitë, nga ana tjetër, i vendos ato në një pozicion sfidues për ofrimin e infrastrukturave të nevojshme publike, të cilat gjithashtu kërkojnë financime, si në zhvillim fillestar, ashtu dhe në mirëmbajtje të vazhdueshme.
Pas një rritje me ritme dyshifrore, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja shënuan një nivel prej rreth 7.9 miliardë lekësh, në rënie me rreth 6.1% në terma vjetorë, ose rreth 514 milionë lekë më pak krahasuar me vitin e mëparshëm. Tirana kryeson në mbledhjen e kësaj takse. Përjashtuar të ardhurat e arkëtuara nga Bashkia e Tiranës, 60 bashkitë e tjera në vend mblodhën rreth 1.5 miliardë lekë nga TNI, me rënie të theksuar në terma vjetorë me rreth 30%./Burimi: Monitor
Më të lexuarat








