Secondary Adv

Konkretizohet marreveshja me Turqine: 8 mln euro per drone superinteligjente

Nga Turqia, në fillim të muajit kryeministri Rama dha lajmin se Shqipëria do blejë nga vendi mik dronë inteligjentë për sistemin e kontrollit të territorit për rendin publik.

 

Do të prodhohen në kohë reale të dhëna mbi rrugët, bregdetin, tokën bujqësore, pyjet, rendin publik. Kjo marrëveshje e arritur në Ankara është konkretizuar edhe në Aktin Normativ të fundit të Këshillit të Ministrave për ndryshimet në buxhetin e shtetit. Në relacionin e projektligjit thuhet se një prej ndryshimeve është në drejtim të projektit prioritar të Ministrisë së Mbrojtjes për pajisjen me drone në vlerë 1 miliardë lekë, në kuadër të marrëveshjes me Turqinë dhe masave për rritjen e kontrollit të territorit dhe sigurisë kombëtare në tërësi.

 

Pra më shumë se 8 milionë euro qeveria shqiptare i ka dedikuar për këtë projekt. Shqipëria do t'i blejë dronët në kompaninë “Bykar Defense”, e specializuar në prodhimin e dronëve të teknologjisë së lartë. Shfrytëzimi i këtyre dronëve në vendin tonë do të rrisë cilësisht efektivitetin e punës së Policisë së Shtetit dhe strukturave të tjera në drejtim të kontrollit të territorit, për të parandaluar në këtë mënyrë fenomenet e paligjshme kudo ku ato hasen.

 

Me rishikimin e katërt të buxhetit brenda këtij viti mbi 11 miliardë lekë është shuma e shtuar në buxhetin e shtetit për zërin e shpenzimeve. Në aktin e katërt normativ të miratuar në 22 qershor janë rritur shpenzimet dhe deficiti buxhetor, dhe mbeten pandryshuar pritshmëritë për të ardhurat edhe pse të dhënat e Ministrisë së Financave flasin për rimëkëmbje ekonomike./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat