Papunesia ne Kosove arrin ne 44 per qind: Kerkohet rritja e pages minimale
Shkalla e papunësisë në vend është rritur në mbi 40 për qind.
Kjo rritje ka ndodhur edhe si pasojë e krizës së shkaktuar nga pandemia COVID-19. Kështu vlerëson kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Avni Ajdini sipas të cilit rritja e papunësisë dhe skemave sociale ka ndodhur për shkak të pandemisë, me ç’rast humben vendet e punës 10 për qind e punëtorëve në sektorin privat. Kryetari i BSPK-së, në një intervistë për KosovaPress foli edhe për mos rritjen e pagës minimale nga Qeveria Kurti, për shkarkimin e tij nga Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit(AKP) dhe për pagën që ka marr mbi 2 mijë euro në AKP.
“Konsideroj që problem social i punëtorëve është mjaft i theksuar dhe papunësia është po ashtu mjaft e theksuar, mbi 34 për qind, por mund të themi që është edhe më tepër mbi 40 për qind, për arsye që gjatë pandemisë punëtorët i kanë humbur vendet e punës. Dhe për fat të keq kjo ka ndikuar në rritje të varfërisë apo social. BSPK është aktive, por me shkresa dhe kërkesa… Nëse ka qenë 34 për qind sot është 44 për qind, pra në pandemi 10 për qind e punëtorëve kanë humbur vendet e punës”, thekson Ajdini.
Për çështjen e pagës minimale, kryetari i BSPK, Ajdini, thotë se për fat të keq kjo qeveri ende nuk ka realizuar premtimin për ngritjen e kësaj page. Kreu i BSPK po kërkon nga Qeveria Kurti edhe njohjen e stazhit të punës për të gjithë ata që u larguan nga puna gjatë viteve të 90-ta. “Konsideroj që paga minimale duhet të jetë minimumi 300 euro edhe pse ne kërkojmë 350 euro. E kuptojmë qeverinë që problemet nuk mundet t’i zgjidhë brenda natës, por ne konsiderojmë që paga minimale të jetë 300 euro.
Kështu që ende nuk ka filluar edhe ajo pagë e cila është premtuar që do të jetë 250 euro, për fat të keq jemi duke pritur. Po ashtu jemi duke pritur të realizohet një takim me kryeministrin Kurti që t’i diskutojë disa probleme. A jeni takuar ende me Kurtin? Për fat të keq jo, edhe pse kam bërë një kërkesë për një takim për ta bërë një hap të parë për rregullimin e çështjes së punëtorëve apo të fillojmë nga skema pensionale. Unë nuk kërkoj më tepër veçse të njihet përvoja e punës që me mundur punëtorët me arrit atë 15-vjetshin, e cili sot është pengesë për realizimin e pensionit të plotë”, shprehet Ajdini./Burimi: Telegrafi.com