Rriten te ardhurat e buxhetit ne Kosove: Dogana dhe ATK tejkalojne parashikimet
Dogana e Kosovës në gjashtëmujorin e parë të këtij viti ka shënuar rritje të të ardhurave dhe prurjeve në krahasim me vitin e kaluar.
Edhe Administrata Tatimore e Kosovës ka treguar se gjatë periudhës janar – maj 2021, ka tejkaluar planin e të ardhurave. Buxheti i shtetit për këtë vit është 2 miliardë e 516 milionë euro. Të ardhurat në arkën e shtetit të Kosovës kanë filluar të rriten muajve të fundit të këtij viti, krejt kjo falë Doganës së Kosovës dhe Administratës Tatimore. Këto dy institucione që çdo herë mbushin buxhetin e shtetit me para, kanë deklaruar se nga janari e deri më tani kanë tejkaluar parashikimet. Në Doganën e Kosovës kanë treguar se të ardhurat janë 28 për qind më të larta se në periudhën e njëjtë të vitit 2020.
“Ne kemi arritur që të mbledhim një sasi të konsiderueshme të të ardhurave. Mund të ju them që deri tani kemi mbledhur rreth 580 milionë euro që në krahasim me vitin e kaluar janë rreth 28% më shumë, por duhet të kemi parasysh që viti i kaluar ka qenë pandemik dhe të ardhurat nuk kanë performuar aq mirë, por edhe në krahasim me vitet paraprake të hyrat janë në rritje e sipër. Rritja e të ardhurave nuk varet nga Dogana, por nga performanca e ekonomisë së Kosovës dhe bizneseve që operojnë në Kosovë dhe paguajnë tatimin”.
Sipas Doganës, akciza është njëra ndër arsyet se pse disa produkte si duhani dhe alkooli tentohen të kontrabandohen. “Duhani apo nafta të cilat kanë taksa shumë dhe për këtë arsye ato kontrabandohen. Nëse arrijnë të kontrabandohen, fitimi i një kontrabandisti është shumë me i madh me këto produkte sesa të kontabandojë shishe të ujit”. Dogana shpreson që gjatë gjysmës tjetër të këtij viti të ketë një rritje edhe më të madhe të të ardhurave sesa në gjashtëmujorin e parë. Edhe Administrata Tatimore e Kosovës ka bërë të ditur se është duke vazhduar trendi i rritjes së të ardhurave, ku nga muaji janar deri në maj 2021 është arritur që të inkasohen 23.9 milionë euro më shumë së parashikimi.
Në njoftimin e ATK-së thuhet se nëse krahasohen parametrat e njëjtë me vitin paraprak kanë arritur të kenë performancë tejet premtuese, duke rritur inkasimin për 56.8 milionë euro. “Institucioni ndër më të rëndësishmit në mbushjen e buxhetit të shtetit deri më tani (janar-maj 2021) ka mbledhur tatime në total 242.9 milion euro, kjo ecuri e deritanishme e bënë ATK-në dhe stafin e saj edhe më vigjilent, në realizimin e objektivave të saj, të cilat në masë të madhe janë me karakter të modernizimit dhe avancimit të mëtutjeshëm të shërbimeve ndaj tatimpaguesve”.
ATK synon që në pjesën e dytë të këtij viti të vazhdoj me reforma në procese si atë të hartimit dhe zbatimit të planit për përmirësimin e regjistrit të tatimpaguesve / deklaratave tatimore, implementimin e Strategjisë së Kontrollit 2020-2022, si dhe modernizimin e DTM-së. Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për rishikimin e buxhetit për vitin 2021, që sipas ministrit të Financave dhe Transfereve, ky buxhet shkon në 2 miliardë e 516 milionë euro.
“Të ardhurat buxhetore kanë treguar performancë tejet të kënaqshme. Jemi në rrugë të mirë drejtë rimëkëmbjes”. Sipas Muratit buxheti i rishikuar për vitin 2021 është 2 miliard e 516 milion euro. Kurse të hyrat do të jenë 2 miliard e 43 milion euro. “Me këtë rishikim të ardhurat buxhetore pritet të rriten 155 milion euro”, tha ministri Murati. Sipas tij këto shifra kanë paraparë t’i arrijnë tek në vitin 2023, por po i arrijnë tash, në 2021./Burimi: Monitor