
Perfitojne 50 mije ndertime pa leje nga amnistia
50 mijë ndërtime pa leje do të legalizohen pas miratimit të propozimit të tre deputetëve Nard Ndoka, Kozma Dashi dhe Miranda Rira për amnisti për personat që kanë ndërtuar pa leje deri në 20 prill të vitit 2014.
Bëhet fjalë për persona që kanë ndërtuar në tokën e të tretëve dhe në tokë shteti. Burime nga AULIZNI bëjnë të ditur se menjëherë pasi ligji të hyjë në fuqi do të nisë procesi i vetëdeklarimit dhe personat që kanë ndërtuar pa leje deri në 20 prill 2014 duhet të paraqiten për të plotësuar formularin.
Relacioni i ligjit
“Pronësia mbi tokën nuk është kriter përjashtues për të përfituar nga legalizimi i një ndërtimi të paligjshëm. Dallimi ose diferencimi që bën ligji nr.22/2014 “Për dhënie amnistie” përsa i përket ndërtimit të paligjshëm, vjen në kontraditë me trajtimin uniform/ jo selektiv që i bën kësaj çështje ligji nr.9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar”,-thuhet në relacion.
Deputetët argumentojnë se “në një formë të thjeshtëzuar mundet të thuhet se, nëse ndërtimin pa leje e “amnistojmë” pavarësisht se kush është pronari i tokës ku është bërë ndërtimi, penalisht ne e amnistojmë këtë ndërtim vetëm kur ai është bërë në tokën e personit që e ka bërë ndërtimin e paligjshëm. Nuk e amnistojmë penalisht ndërtimin pa leje në rastin kur ai është bërë në tokë të tjetrit, apo në tokë publike. Dallimi që bën ligji nr.22/2014 midis paragrafit të parë dhe të dytë të nenit 199/a të Kodit Penal nuk merr në konsideratë realitetin.
Sipas të dhënave që disponon ALUIZN-i vetëm rreth 30°/o e ndërtimeve të paligjshme janë bërë në pronë të vetë subjektit që ka bërë ndërtimin. Pjesa tjetër e ndërtimeve të paligjshme, pra rreth 70°/o, janë bërë në tokë të tjetrit, ose në tokë publike. Ky dallim në trajtim është nonsens nga pikëpamja logjike dhe krijon edhe një problem nga pikëpamja praktike”,-thuhet në relacion.
Në argumentin e kërkesës së tyre deputetët shprehen se statistikat tregojnë se procedimet penale, si dhe më shumë akoma dënimet penale për veprën penale të ndërtimit të paligjshëm, parashikuar nga neni 199/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal, numërohen vetëm me dhjetëra. “Më i vogël është ky numër në rastin e kryerjes së veprës penale të ndërtimit të paligjshëm, parashikuar nga paragrafi i parë i nenit 199/a i Kodit Penal.
Gjithë pjesa e atyre shtetasve që nuk janë proceduar edhe pse objektivisht kanë konsumuar veprën penalë të parashikuar nga neni 199/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal, janë potencialisht subjekt i ndjekjes penale dhe i dënimit penal edhe sot janë të tillë edhe pse ligji për legalizimet ju legalizon ndërtimin pa leje. Në kushtet kur vete shteti ka vendosur të legalizojë informalitetin dhe paligjshmërinë në ndërtime (sipas disa kritereve), si dhe në kushtet kur ky fenomen është masiv, nuk do të ishte me sens dhe e dobishme që të penalizoheshin personat që e kanë kryer këtë vepër penale në afatin që ligji ju njeh të drejtën e legalizimit të ndërtimit të paligjshëm.
Nga ana tjetër, fakti që procedimet kanë qenë vetëm disa, ndërkohë kur ky fenomen është masivisht prezent, të bën të mendosh se këto procedime ose kanë qenë selektive dhe jo në funksion të rivendosjes së ligjmërisë, ose organi procedues për shkak të numrit shumë të madh të këtyre rasteve nuk ka pasur dhe nuk ka mundësi (kapacitete) për të ushtruar ndjekjen penale”,- thuhet në relacion. Sipas deputetëve në të dy variantet kemi të bëjmë me një shkelje të parimit kushtetues, atij të të qenit të gjithë të barabartë përpara ligjit. Parim, i cili sanksionohet në nenin 18 të Kushtetutës. Ndaj, bazuar në sa më sipër parashtruam, grupin i deputeteve i propozoi Kuvendit projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin 22/ 2014 “Për dhënie amnistie”.
Njohja e pronësisë
Sipas ligjit të ri kalimi i së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të ndërtimit pa leje kryhet sipas dispozitave të Kodit Civil. Parcela ndërtimore, për të cilën kalohet e drejta e pronësisë, përcaktohet në rastin e ndërtimeve pa leje me funksion banimi, sipërfaqja e parcelës, për të cilën miratohet kalimi i së drejtës së pronësisë, duhet të jetë deri në masën e trefishit të bazës së ndërtimit, por në çdo rast jo më e madhe se 500 m².
Në rastin e dytë kalimi i pronësisë kryhet për ndërtimet pa leje me funksion social- ekonomik dhe zbatohet vetëm kriteri i trefishit të sipërfaqes së bazës së ndërtimit. Në rastin e tretë kalimi i pronësisë për shkak të përmasave ose planvendosjes së parcelës ndërtimore, krijohen sipërfaqe të lira që nuk mund të shfrytëzohen më vete për ndërtim, ato i shiten poseduesit të ndërtimit pa leje sipas vlerës së pronës, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
Më të lexuarat








