OSHEE, skema te reja me keste, falet gjysma e kamatevoneses
OSHEE ka vendosur ripagesën e detyrimeve të krijuara deri më 31 dhjetor 2014 nga konsumatori familjar përmes katër skemave. Në çdo rast, OSHEE do t’i ofrojë debitorit mundësinë për ta paguar detyrimin me këste, si dhe ulje me 50% të kamatës.
Aktmarrëveshjet Që nga data 16 korrik 2015, fill pas mbarimit të afatit të vendosur për mbylljen e skemës me këste 1000 lekë dhe 2500 lekë, OSHEE ka rivendosur skemën lehtësuese për debitorët e energjisë. Të paktën 125 mijë familje në të gjithë vendin që janë debitorë të energjisë elektrike për detyrimet deri në datën 31 dhjetor 2014, nuk kanë bërë përpjekje për të përfituar nga skemat lehtësuese në afatet, që ofroi OSHEE muajt e fundit.
Sipas burimeve të kompanisë së shpërndarjes, në bazë të bilancit të bërë nga koha kur nisi aksionin për mbledhjen e debive, rezulton se janë lidhur 330 mijë aktmarrëveshje për pagimin me këste apo kanë përfituar ulje deri në 80% të kamatëvonesës. Sipas OSHEE, nga detyrimet e prapambetura janë arkëtuar 7.6 miliardë lekë.
Nisur nga fakti që pjesë e abonentëve kanë refuzuar të bëhen pjesë e skemës, OSHEE e lë të hapur mundësinë e përfitimit sipas formulave lehtësuese për pagesat e prapambetura, të cilat parashikojnë pagimin me këste të energjisë dhe nëse detyrimi paguhet brenda afatit, abonentit do t’i ulet gjysma e kamatëvonesës.
SKEMA 1 – Sipas skemës 1, abonenti mund të kryejë pagesën me 6 këste të detyrimit për kontratën që arrin shumën deri në 100 mijë lekë. Në rast se debitori zgjedh ta paguajë detyrimin në 1/3 e afatit (pra, brenda 2 muajve nga 6 që është gjithsej skema), atëherë i reduktohet me 50% kamatëvonesa. Zbritja e kamatëvonesës realizohet me këstin e fundit
SKEMA 2 – Me këtë skemë, abonenti mund ta ndajë pagesën e detyrimit në 12 këste për kontratën që arrin shumën deri në 300 mijë lekë. Në rast se abonenti zgjedh të paguajë detyrimin me afat deri në 1/4 e tij (pra, brenda 3 muajve), në këstin e fundit i ulet me 50% kamatëvonesa.
SKEMA 3 – Kjo pagesë e detyrimit shtrihet në 24 këste mujore për kontratën që arrin shumën 600 mijë lekë. Në rast se abonenti zgjedh që ta paguajë detyrimin me afat deri në 1/6 e tij (pra brenda 4 muajve), i ulet me 50% kamatëvonesa.
SKEMA 4 – Pagesë me 36 këste të detyrimit bëhet për kontratën që tejkalon shumën 600 mijë lekë. Në rast se abonenti do ta paguajë detyrimin me afat deri në 1/8 e tij (brenda 5 muajve) përfiton ulje me 50% të kamatëvonesës. Zbritja e kamatëvonesës realizohet me këstin e fundit. Paralelisht me lidhjen e aktmarrëveshjeve të reja, vazhdon aksioni i OSHEE-së dhe i policisë në terren për ndërprerjen e energjisë për debitorët. OSHEE paralajmëron se cilido abonent, që refuzon të paguajnë, do t’i ndërpritet energjia./Gazeta Shqip