Zgjidhet problemi me kasat fiskale: Tatimet pritet te sqarojne sot bizneset
Procesi i fiskalizimit po ecën me shpejtësi, kur nga 34 mijë biznese deri tashmë e kanë kryer 33 mijë.
Por ka një problematikë për të cilën shumë biznese kanë shprehur shqetësim, e cila lidhet me kasës fiskale. Parashikohet që në shumë raste të ndryshohet kasa pasi ajo aktualja nuk e përballon fiskalizimin. Për ta hapur më shumë tregun qeveria ka vendosur që të drejtën e tregtimit të kasave fiskale ta kenë 28 kompani nga 4 që ishin. Por në fakt bizneset po hasin në një paradoks. Procedura e kalimit të kasës nga njëra prej këtyre 4 kompanive që ishin në një tjetër kompani është shumë e komplikuar dhe me shumë 'kleçka'.
Kompania në të cilën një biznes aktualisht e ka kasën e sorollat tatimpaguesin, duke mos i dhënë informacion apo duke i nxjerrë 1000 arsye të tjera. Gjithashtu edhe formulari i kalimit nuk e ka parashikuar faktin që një biznes mund të zgjedhë të kalojë në një kompani tjetër me kasë fiskalë për arsye të një çmimi më të ulët apo shërbimi më të mirë. Janë vetëm disa arsye që lidhen me prishjen e kasës apo edhe me falimentimin. Pra në thelb mund të konsiderohet serish proces 'monopol' i këtyre 4 kompanive që ishin më parë në treg.
Për të gjithë këtë problematikë, drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve Delina Ibrahimaj ka folur në Report Tv. Ajo ka dhënë lajmin nën një intervistë ekskluzive në emisionin "Sot live në Shqipëri", se pikërisht sot Tatimet do të dalin me një njoftim ku do të sqarojnë këto problematika dhe ta zgjidhin një herë e mirë këtë çështje që të gjitha bizneset të kenë mundësi të zgjedhin ku të duan kasën e tyre fiskale./Burimi: Shqiptarja.com