Secondary Adv

Tenderi i uniformave te policise: Arrestohen 8 zyrtare dhe ish-zyrtare te MB

Tetë zyrtare dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme janë arrestuar kurse një është shpallur në kërkim, pasi prej muajsh ishin nën hetim nga SPAK.

 

Mësohet se zyrtarët dhe ish-zyrtarët e kësaj ministrie janë vënë nën hetim për shkelje të barazisë me tendera dhe prokurime publike. Konkretisht bëhet fjalë për tenderat e uniformave të Policisë së Shtetit. Operacioni është në vijim e sipër. Nën hetim  për disa muaj kanë qenë Edlira Naqellari, Kreshnik Bejkaj, Ani Omuri, Klevis Hasani, Anisa Bogdani, Flutura Çekrezi, Fatmir Demneri, Gëzim Mingaj dhe Mariglen Buzali. Mësohet po ashtu, se hetimi është rreth tenderit të uniformave të policisë në vitin 2020. Një tender me vlerë 25 milionë euro, që u denoncua edhe nga opozita dhe u bë kallëzim po në vitin 2020.

 

Gjithçka nisi dy vjet më parë kur Ministria e Brendshme hapi tenderin me vlerë kolosale prej 25 milion eurosh me qëllim blerjen e uniformave për efektivët e Policisë së Shtetit deri më 2023. Afati limit për pranimin e ofertave ishte 23 gushti dhe sipas të dhënave të publikuara nga “OpenData” fitues u shpall bashkimi i kompanive “D&E SHPK dhe SUMMER CONF. s.r.l dhe LOVERS s.r.l dhe YAKUPOGLU TEKSTIL VE DERI SAN. TIC. AS A. VEDAT YAKUPOGLU”.

 

Dokumenti i shpalljes se tenderit

Këto kompani morën përsipër që t’i ofrojnë uniformat Policisë së Shtetit me një çmim mesatar për njësi prej 319 966 lekësh, raporton abcnews.al. Ndërkohë, dy ofertat e tjera kishin një çmim mesatar për njësi 133 480 lekë dhe  446 667 lekë. Pasi mori ofertat Agjencia e Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme vendosi të skualifikojë dy ofertat e para duke shpallur fituese atë të bashkimit të disa kompanive shqiptare me ato turke prandaj edhe uniformat e Policisë së Shtetit të Shqipërisë, janë të njëjta, përveç logove me ato të Policisë së Turqisë.

 

Çfarë ndodhi?

Fill pas shpalljes së fituesit, u pa që tenderi kishte probleme dhe ai kategorizohet si me “flamur të kuq” nga “OpenData”, ndërkohë që një ndër kompanitë e skualifikuara ankohet në Agjencinë e Prokurimeve Publike për procedurat e ndjekura. Bëhet fjalë për kompaninë Marsi-al, e cila  pretendoi se ishin bërë modifikime të dokumenteve të tenderit. Kjo kompani ka fituar tenderin prej 960 mijë eurosh për prodhimin e uniformave të policisë në dhjetor 2015.

 

Ankesa e kompanisë u hodh poshtë nga Komisioni i Prokurimeve Publike, KPP. Pas kësaj ankese dhe padisë së dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë fillojnë hetimet e SPAK, të cilat çuan sot pas hekurave Edlira Naqellarin, Kreshnik Bejkajn, Ani Omurin, Klevis Hasanin, Anisa Bogdanin, Flutura Çekrezin, Fatmir Demnerin, Gëzim Mingajn dhe Mariglen Buzalin./Burimi: abcnews.al


Më të lexuarat