Punesimi informal i larte ne Kosove: 15-30 per qind pa kontrata pune
Askush nuk ka të dhëna të sakta, por Administrata Tatimore e Kosovës pohon se nga 15 deri në 30 për qind e punëtorëve në vend janë pa kontrata pune.
Sindikalistët flasin për përqindje shumë më të lartë, ndërsa vet punëtorët pa kontrata nuk pranojnë të flasin publikisht. “Realisht ka matje të ndryshme por që nuk ka statistika të sakta mund të themi, sepse matjet e fundit janë bërë në vitin 2017, duke iu referuar të dhënave të vitit 2015”, thotë Ilir Murtezaj nga Administrata Tatimore e Kosovës. Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punonjësve të Sektorit Privat, thotë se mbi 60 për qind të punonjësve të këtij sektori janë pa kontrata pune. “Gjendja e punëtorëve në sektorin privat të Kosovës është e rënduar, pasi që dihet se pandemia e ka bërë të veten por edhe pa pandemi punëtorët e sektorit privat kanë qenë në gjendje tepër të rëndë dhe nuk po shihet ndonjë sinjal se do të bëhet mirë diçka.
Kur përmendim çështjen e punëtorëve pa kontrata pune, tash është bërë thuajse normale që të thuash se punëtorët janë pa kontrata pune edhe te pronarët e kompanive edhe te shteti është bërë krejt normale, ne me vite të tëra kemi treguar se tani ka kaluar shifrën mbi 60 për qind”, thotë ai. Arton Qerkini nga Inspektorati i Punës në Kosovë, ankohet për mungesë të numrit të mjaftueshëm të inspektorëve.
“Ne i kemi aktivë diku 36 inspektorë që në raport me numrin e subjekteve të regjistruara në ministri të Tregtisë tregon që duhet të pesëfishohet numri i inspektorëve. Megjithatë me mundësitë që i kemi po mundohemi të bëjmë më të mirën të mundshme”, thotë ai. Sipas zotit Qerkini, sektorët ku dukuria e punësimit të padeklaruar është më e përhapur janë gastronomia, ndërtimtaria, bujqësia dhe në përgjithësi prodhimtaria./Burimi: Telegrafi