Se shpejti pritet te vijne 340 mije vaksina kineze: Ulet fasha e vaksinimit
340 000 vaksina Coronavac mbërrijnë së shpejti në vendin tonë, për të intensifikuar edhe më tej vaksinimin masiv ndaj COVID-19.
Lajmi u bë i ditur nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë inspektimit të qendrës shëndetësore në Borizanë, e cila po rindërtohet nga themelet, pas dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit. “Pritet që në ditët e ardhshme të mbërrijnë në vend, në kuadër të kontratës së qeverisë shqiptare, edhe 340 000 vaksina Coronavac, që na krijojnë mundësinë për të realizuar sërish ndërhyrje të rëndësishme në raport me hapjen e fashës së vaksinimit dhe gjithashtu edhe të ditëve të hapura në vijim, për grupmoshat +18 vjeç për t’u vaksinuar. Ky do të jetë një sezon, ku fokusi do të jetë te vaksinimi dhe mbrojtja e jetës së çdo qytetari”, deklaroi Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë tha se pavarësisht pandemisë, programi i rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit ka vijuar pa u ndalur. “Edhe pse në një kohë të vështirë, siç është pandemia, ne nuk ndalëm asnjëherë punën për investimet në shëndetësi dhe gjithashtu me programin e rindërtimit, për të mundësuar shërimin e plagëve të tërmetit të nëntorit.
Ndaj jam shumë e kënaqur që po çojmë përpara projektet për rehabilitimin e një serie qendrash shëndetësore të dëmtuara nga tërmeti, spitalin e ri të Laçit, Maternitetin ‘Mbretëresha Geraldinë’, etj. Brenda mandatit të ardhshëm ne do të vijojmë me programin e rehabilitimit të plotë të qendrave shëndetësore kudo në vend”, tha Manastirliu./Burimi: KohaJone