Te ardhurat e buxhetit rriten per 6 mujorin: Tejkalojne nivelin e parakrizes
Të ardhurat totale të buxhetit për periudhën janar qershor 2021 kanë shënuar një rritje të ndjeshme në raport me vitin e kaluar.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, të ardhurat totale në buxhet ishin 234 miliardë lekë, me një rritje prej 20% në raport me 6 mujorin 2020 (+39 miliardë lekë). Në krahasim me janar-qershor 2019, rritja është 3.6% (+8.2 miliardë lekë). Në krahasim me 6 mujorin 2020, të gjitha zërat janë me rritje. Ndërsa në raport me parakrizën e janar-qershor 2019, diferencën e kanë bërë të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, që kanë ndikuar në 81% të rritjes, e lidhur kryesisht me rritjen e pagës minimale e maksimale që nga 1 janari i këtij viti.
Të ardhurat nga sigurimet shoqërore e shëndetësore u rritën me 11% në krahasim me 6 mujorin 2019 dhe 15% me të njëjtën periudhë 2020. Të ardhurat nga tatimet dhe doganat u rritën me 20.7% në krahasim me 6 mujorin 2020. Në krahasim me të njëjtën periudhë të2019-s, rritja është minimale, prej vetëm 0.5%. Ecurinë më pozitive e shënoi TVSH, me rritje 3.8% nga 2019, ndërsa si tatim fitimi ashtu dhe tatimi mbi të ardhurat personale nuk i kanë kapur ende nivelet e parakrizës, duke u tkurrur përkatësisht me -13% dhe -14%, në një tregues që fitimet e bizneseve dhe të ardhurat e individëve po vijojnë të vuajnë pasojat e pandemisë.
Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Financave: Performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën 6 mujore (Janar – Qershor 2021) reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve. Të ardhurat totale për 6-mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 104 % të planit të 6-mujorit.
Shpenzimet e përgjithshme publike, për 6-mujorin e 2021, u realizuan në masën 95.8% të planit të periudhës. Në përputhje me parashikimet buxhetore dhe të indikatorëve makroekonomikë, niveli i deficitit në muajin e gjashtë të vitit 2021 rezultoi në rreth 29.1 mld lekë. Gjatë kësaj përiudhe është ulur stoku i rimbursimit të TVSH me 10 mld lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar./Burimi: Monitor