Secondary Adv

Trajtimi i mbetjeve urbane ne Durres- Vendimi: Do financohet nga qeveria

Këshilli i Ministrave i ka hapur rrugën e financimit nga paratë e buxhetit të shtetit zgjidhjes së problemit të plehrave në bashkitë e qarkut të Durrësit.

 

Në ditën e fundit të marrëveshjes mes bashkisë së Durrësit dhe kompanisë koncesionare që operon në Landfillin e Sharrës, qeveria shqiptare miratoi vendimin për mbështetje financiare. Në vendimin e miratuar, qeveria u kërkon bashkive të qarkut të Durrësit të marrin masa të menjëhershme për gjetjen e zgjidhjeve për menaxhimin/trajtimin e mbetjeve urbane duke mbajtur në konsideratë legjislacionin në fuqi në fushën e mbetjeve.

 

Pas studimit të tregut, vijon më tej vendimi dhe gjetjes së zgjidhjeve më të mira financiare për trajtimin e mbetjeve urbane, në përputhje me standardet e menaxhimit të integruar të mbetjeve, nëse efektet financiare të zgjidhjes janë të pamjaftueshme për t’u përballuar nga buxheti i bashkisë përkatëse të qarkut të Durrësit, bashkia i drejtohet ministrisë përgjegjëse për financat, me qëllim mbulimin e diferencës së efekteve financiare të kërkuara. Pra qeveria do të mbulojë shumën e nevojshme që do të kërkojë bashkia. Por pyetja që shtrohet është se cfarë ndodh nëse të gjitha bashkitë do të kërkojnë të njëjtën gjë?

 

Situata aktuale

Vendimi i qeverisë është marrë në ditën e fundit që skadon marrëveshja mes bashkisë së Durrësit dhe komapnisë koncesionare që operon në Landfillin e Sharrës. Në fund të muajit qershor e ndodhur në presion publik përballë situatës së krijuar në Durrës ku rrugët e qytetit ishin të pushtuara nga plehrat, kompania në Landfillin e Sharrës vendosi që të zgjaste afatin e grumbullimit të plehrave pa pagesë, duke i rikujtuar bashkisë kushtet e marrëveshjes.

 

Kompania mori përsipër pastrimin e qytetit deri më datë 15 korrik ndërkohë që pas kësaj date, Bashkia duhet të marrë masat e nevojshme për zgjidhjen e kësaj problematike pasi depozitimi i plehrave nuk do lejohet. Pikërisht në ditën e mbarimit të afatit nga kompania në Sharrë qeveria miratoi vendimin për mbështetje financiare për bashkinë për të zgjidhur problemin e plehrave që sipas të gjitha gjasave do të kenë sërish të njëjtin destinacion, ndërsa e vetmja gjë e re është fakti që shpenzimet do të mbulohen nga buxheti i shtetit.

 

Ngërçi

Ky problem ka nisur dy vjet më parë në nisje të sezonit turistik. Me përfundimin e të kontratës së përkohshme me koncensionarin, Bashkia e Durrësit propozoi zgjatjen e saj me 14 vite dhe kërkoi që përpunimi i mbetjeve të financohet nga buxheti i shtetit. Marrëveshja e re nuk është firmosur ende. Shkak mund të jetë dhe tarifa, pasi koncesionari paguhet 29 euro për djegien e një ton mbetje të Tiranës. Ndërsa për Durrësin kostoja e përpunimit është propozuar të arrijë në 40 euro për ton. Nga ana tjetër Bashkia e Durrësit nuk ka vend tjetër ku të depozitojë mbetjet urbane, pasi Porto Romano është marrë nga qeveria/Burimi: Abcnews.al


Më të lexuarat