Secondary Adv

Mbikalimi i Shkozetit rrezikon shembjen- ARRSH: Kemi evidentuar demet

Mbikalimi i Shkozetit në Durrës është dëmtuar që prej tërmetit të nëntorit 2019, por ende nuk është ndërhyrë për të riparuar trarët e urës.

 

'Report TV' kreu një vëzhgim pas ankesës së qytetarëve, ku shihet qartë se betoni është shkëputur nga hekurat. Ky mbikalim është një objekt me rëndësi strategjike pasi lidh rrugët e jugut me autostradën Tiranë -Durrës dhe anasjelltas. Mbi të kalojnë me mijëra makina dhe në fundjavë arrihet piku pasi automjetet marrin rrugën për në plazhet e jugut. Zyrtarë të Autoritetit të Rrugëve, kontaktuar nga 'Report TV' thanë se jemi duke kryer studimin dhe ende nuk ka një datë kur do të nisin punimet. "Në Nëntor të vitit 2019, pas tërmetit, u bë ekspertiza në të gjitha urat, rrugët dhe mbikalimet që janë në inventarin e ARRSH-së, si dhe tek mbikalimi i Shkozetit.

 

Për qëllime sigurie, u mor masa e ndalimit të qarkullimit në këtë mbikalim, ndërkohë që u kërkua nga ana e ARRSH që të bëhej një vlerësim për situatën dhe shkallën e dëmtimit. Gjatë kësaj kohe u bë vlerësimi i saj nga ana e ekspertëve të huaj dhe u vlerësua se dëmtimet nuk ishin konstruktive dhe nuk përbënin rrezik për qarkullimin e mjeteve. Si rrjedhim, u mor vendimi për rihapjen e urës. U evidentuan disa dëmtime te mbështetëset e trarëve të urës së mbikalimit të Shkozetit, të cilat ARRSH i ka marr në shqyrtim dhe është në fazën e implementimit për një ndërhyrje për të rritur sigurinë, deklaron zyra për median pranë ARRSH./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat