Ja taksat dhe tarifat e reja ne Bashkine e Tiranes
Bashkia e Tiranës ka ndryshuar taksat dhe tarifat që do paguajnë 13 njësitë administrative, që i janë bashkuar pas ndryshimit të hartës territoriale. Në projektvendimin përcaktohen tarifat dhe taksat për çdo shërbim, duke filluar nga parkimi i automjeteve deri tek kontrolli që do t’i bëhet mishit.
Në njësinë administrative Farkë do të paguhet 200 lekë për parkimin e autoveturave, ndërsa për ta rezervuar për një vit, një vend parkimi në pronë publike do të paguhet 20 mijë lekë. Gjithashtu, ata persona që do të mbajnë kafshë shtëpiake luksi në njësinë e Farkës do të paguajnë një tarifë prej 11 mijë lekësh të reja në vit. “Tarifa për mbajtjen e kafshëve të luksit 11.000 lek /vit”, - përcaktohet në projektvendimin e Bashkisë së Tiranës.
Njësitë e reja që i janë bashkuar Tiranës, do të paguajnë tarifë prej 500 lekë për bagëti të trashë që do të therin dhe 200 lekë për kokë, për bagëtit e imta. Taksa për zënien e hapësirës publike do të jetë 60 lekë për m2. Taksa e banesës para 1993-shit, do të jetë 7.5 lekë për m2, ndërsa për banesat pas 1993-shit do të jetë 11 lekë për m2. Janë përcaktuar dhe tarifat që do të paguhen për ujin e pijshëm, taksa e tabelës dhe taksa e pastrimit. Çdo lokal apo restorantë në njësinë administrative Dajt do të paguajë 5000 lekë në muaj për ujin e pijshëm, ndërsa për familjet do të paguhet 1000 lekë në muaj.
Gjithashtu njësitë e reja administrative do të paguajnë tarifë për çdo dokument që do të kërkojnë lidhur me banesën. “Tarifë për pranim dhe protokollim dosje për aplikim leje zhvillimore ndërtimi 10.000 lekë. Tarifë për tërheqje dokumentash dhe njësim me origjinalin 1.000 lek/fletë. Kontroll të sistemimit të ambientit rrethues pas përfundimit të punimeve, shërbimi për akt-kontrolli, piketimi të objektit 10 lek/m2”, - thuhet në projektvendimin e bashkisë.
Të gjitha taksat do të jenë të ndryshme, duke u bazuar dhe tek tarifat që kanë paguar më parë njësitë administrative, kur funskionuar si komuna. Gjithashtu, taksat e reja ndryshojnë nga njëra zonë në zonën tjetër. Kështu një banorë që banon në Bërzhitë do të paguajë një taksë më të lartë për banesën se ai që banon në Farkë.